Bashkia e Tiranës prej 5 muajsh po qeveriset me nënkryetar, pasi kreu i bashkisë, Erion Veliaj, vijon të qëndrojë në qeli. Në këto kushte duket se opozitarët po përgatiten për zgjedhje të parakohshme, por ende nuk kanë një emër të përbashkët.
Sali Berisha i pyetur mbi propozimet që artikulojnë idenë e një kandidati jopolitik, pohoi se është gati për të bashkëpunuar me të gjithë. “Ne jemi të hapur të bashkëpunojmë me të gjitha forcat politike opozitare, por lidhur me kandidaturën ajo do jetë diskutimi”, tha ai, përcjell A2 CNN.
Veliajn vijon ta akuzojë për korrupsion dhe vepra të tjera penale që sipas tij i ka konsumuar në krye të Bashkisë Tiranë, por vijon të shqetësohet për gjendjen e tij pasi thotë se në burg po keqtrajtohet. “Por nëse i sajon statuse në Facebook që nuk janë shkruar prej tij, atëherë kjo është krim. Atë e kanë privuar nga të drejtat ligjore që i takojnë”, tha Berisha.
I pyetur për vendimin e Kolegjit Zgjedhor që vulosi rezultatin në tre qarqet e fundit, duke rrëzuar pretendimet e opozitës për pavlefshmëri të zgjedhjeve, pohoi se nuk priste surpriza. “Vendimi i Kolegjit Zgjedhor është dëshmi e një nënshtrimi të plotë dhe total politik të atyre gjykatësve që nuk njohin ligjin, por mbrojnë qeverinë dhe mbrojnë farsën”.
Pavarësisht vendimit të Kolegjit, kreu i opozitës pohon se beteja e tyre do të vijojë pasi zgjedhjet e 11 majit nuk i njohin. (A2 Televizion)