Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike Ilir Alimehmeti ka deklaruar se Shqipëria preket drejtpërdrejt nga ligj i nënshkruar së fundmi nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili, sipas tij, përbën jo vetëm buxhetin e ushtrisë amerikane, por themelin e politikës së jashtme të SHBA-së, veçanërisht për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, ai tha se ky dokument i vendos në një emërues të përbashkët çështje kyçe si korrupsioni, demokracia, media, krimi kibernetik dhe siguria, duke i konsideruar faktorë vendimtarë për stabilitetin rajonal.
“Një javë më parë zoti Trump ka nënshkruar një dokument, një ligj i cili është jo vetëm buxhet për ushtrinë amerikane, por në fakt është themeli i politikës së jashtme amerikane dhe për zonën tonë, për Ballkanin Perëndimor. Ai fut në një emërues të përbashkët këto. Fut korrupsionin, fut demokracinë, fut median, fut krimin kibernetik, i fut të gjitha një emërues të përbashkët që janë kyç për stabilitet në rajon dhe më gjerë”, u shpreh Alimehmeti në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Alimehmeti ngriti disa pikëpyetje mbi rolin e Shqipërisë brenda NATO-s, nëse vendi është një hallkë e fortë apo e brishtë e aleancës. Sipas tij, infiltrimi i kriminalitetit në institucione dhe projekte strategjike përbën rrezik për sigurinë kombëtare dhe për marrëdhëniet me aleatët.
“Jemi në shkallë shumë më të rëndësishme dhe pyetja kyçe këtu mbetet. Duke parë të gjitha këto, është Shqipëria vendi i NATO-s me të vërtetë apo jo? Është Shqipëria hallkë mjaftueshëm e fortë në këtë zinxhirin e NATOS apo jo? Është e mundshme të infiltrohet Shqipëria nga nivele të ndryshme? Unë s'jam person që merret me sigurinë. Po kjo pyetje lind natyrshëm”, tha ai në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Ai paralajmëroi se kostoja për vendin do të jetë e lartë nëse problemet nuk adresohen, duke e krahasuar situatën me një sëmundje që kërkon ndërhyrje urgjente. Sipas tij, proceset politike dhe hetimet do të mbyllen, por ndërkohë Shqipëria do të paguajë çmimin e vonesave.
“Pra këtu paska njerëz që kanë certifikata sigurie të nivelit të lartë, se të merresh me tenderat e AKSHI-t do të thotë të kesh certifikata sigurie të nivelit të lartë, pikërisht që të tregosh që nuk je i kapur nga agjentë të huaj apo nga kriminaliteti. E nga krahu tjetër, shohim që është pikërisht kriminaliteti që i ka kapur. Pra këtu nuk ke më asnjë funksionim dhe do ribëhet nga fillimi. Sepse për karshi asaj aleance të nderuar ke detyrime dhe janë detyrime të rëndësishme, sepse gjithë këto gjëra, neve këtyre librave ja kemi lexuar faqen e parë dhe faqen e fundit. Ne e dimë si do shkojë kjo punë. E dimë si do shkojë çështja Balluku. E dimë si do shkojë çështja, i dimë të gjitha. Ndërkohë po shohim zhvillimin, po shohim shkrimin e kapitujve dhe po merremi me gjërat e parëndësishme. Janë të përfunduara të gjitha. Vite më parë ju kam thënë këtë çështja Veliaj është e mbyllur dhe u mbyll. Do mbyllet dhe çështja Balluku, njëjtë do mbyllet dhe çështja Rama. Të jeni të bindur. Thjesht ndërkohë neve do na shkaktojnë kosto. Pra është një sëmundje që kur ti pret shumë kohë për ta operuar, ajo të shkakton kosto në trup, por që duhet operuar, duhet operuar”, u shpreh Alimehmeti në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Sipas Alimehmetit, Shqipëria nuk perceptohet më si një vend i sigurt dhe se krimi, përfshirë krimin politik dhe korrupsionin në nivele të larta, janë arsyet kryesore pse qytetarët largohen dhe pse shpresa bie.
“Nuk është as shtet i sigurt dhe këto janë arsyet kyçe pse njerëzit na ikin, pse shpresa bie tek ne. Këto janë arsyet kyçe. Nuk bie njeri se është klima, kush e di se çfarë ose kemi ndonjë luftë neve. Këto janë arsyet pse njerëzit ikën. Dhe ky vit ka qenë emblematik në këtë drejtim. Pra, shumë qartë u pa niveli i krimit, shumë qartë u pa niveli i krimit politik, pra i krimit me kollare. Mund ta quajmë dhe shumë qartë u pa niveli demokratik”, theksoi ai në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN. (A2 Televizion)