Politologu Afrim Krasniqi, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, u shpreh se “nëse SPAK i hyn me detaje dosjeve, të gjitha fijet të çojnë në të njëjtin vend, aty ku është i përqëndruar gjithë pushteti dhe gjithë pushteti në Shqipëri është i përqëndruar në zyrën e kryeministrit të Republikës së Shqipërisë”.
“Ajo çfarë na tregoi Bashkia e Tiranës dhe gjithë këto ente që po hapen dhe strukturat vendimmarrëse, nuk është çështje e një individi. Individi është në krye të sistemit dhe po përfiton për veten e vet. Ne këtu kemi folur në kohën elektorale që thonim që zoti Rama e ka të detyruar t'i fitojë zgjedhjet, se po s'i fitoi do jetë ditën e parë në SPAK dhe koha na dha të drejtë se praktikisht sot atë e mban post vetëm për shkak të pozitës së kryeministrit dhe e numrave 83 në Parlament. Kjo mendoj që është problematika kryesore me të cilën ne ndeshemi”, tha Krasniqi.
“Ky është dështim tipik i një elite politike që kurrë nuk e pranoi fjalën as liri, as demokraci, as në vendin ku ishin ata, as në familjen e tyre politike, as në vendimmarrjen politika, as në Parlament, as në qeveri, askund dhe vazhdon e njëjta situatë edhe sot. Në historinë e këtij tranzicioni do mbahet mend viti kur për herë të parë ne pamë në lajme duke arrestuar zyrtarët që konsideroheshin të paprekshëm, të gjithëpushtetshëm, të paimagjinueshëm për t'u përballur me drejtësinë dhe këtë e kemi parë qoftë në Bashkinë e Tiranës, qoftë në zyrtarë të tjerë të lartë, me ish-President dhe me kryetarë, po themi ish-kryeministra dhe zyrtarë të tjerë të lartë. A është kjo drejtësia? Nuk është drejtësia, por është një lloj shprese që edhe në këtë vend me 1 000 probleme, njeriu që drejton sot, që është kryeministri, nuk e kontrollon gjithçka dhe ky është fati i madh i një demokracie dhe kosto që duhet të paguajë ai pse jetojmë në demokraci. Sepse fakti që nuk e kontrollon gjithçka është arsyeja që sot SPAK-u shkon tek ndihmësi dhe krahu i vet më i afërt dhe njerëzit e tij më të afërt. Dhe unë kam bindje të plotë që nëse i hyn me detaje këtyre dosjeve, përfshi dhe këtë të fundit që na ka dale, jam i sigurt që të gjitha fijet të çojnë në të njëjtin vend, aty ku është i përqëndruar gjithë pushteti dhe gjithë pushteti në Shqipëri është i përqëndruar në zyrën e kryeministrit të Republikës së Shqipërisë”, shtoi politologu Afrim Krasniqi.
(A2 Televizion)