E ftuar në “A2 Puls” nga Bruna Çifligu në A2 CNN, anëtarja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilirjana Kuçana, ka deklaruar se Shqipëria ndodhet në një krizë të thellë politike, institucionale dhe sociale, e cila sipas saj nuk mund të zgjidhet më me zgjedhje të zakonshme, por vetëm përmes krijimit të një qeverie tranzitore.
Kuçana u shpreh se akuzat e shumta ndaj qeverisë, hetimet e hapura dhe skandalet e përfshira në dosjen e AKSHI-t kanë rrënuar besimin e qytetarëve dhe kanë cenuar sigurinë kombëtare. Sipas saj, në këto kushte, kryeministri Edi Rama nuk mund të garantojë më zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Me Edi Ramën nuk ka më zgjidhje dhe nuk ka zgjedhje. Shqipëria ka nevojë për një qeveri tranzitore, të përbërë nga njerëz me integritet, larg krimit dhe korrupsionit, që të rikthejë besimin dhe të çojë vendin drejt zgjedhjeve të ndershme”, tha Kuçana.
Ajo theksoi se kjo qeveri tranzitore duhet të ketë si mision kryesor garantimin e reformave urgjente, integrimin europian dhe ndarjen reale të pushteteve. Sipas saj, presioni qytetar, protestat dhe aksionet opozitare do ta detyrojnë qeverinë aktuale të largohet.
Kuçana shtoi se Partia Demokratike e konsideron qeverinë tranzitore si rrugën e vetme për të shmangur përshkallëzimin e krizës dhe për t’i dhënë shqiptarëve një perspektivë të re politike. “Shqiptarët kanë nevojë për çlirim nga ky makth dhe për një qeverisje që i shërben interesit publik, jo pazareve”, përfundoi ajo. (A2 Televizion)