Analisti Endri Tafani, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, u shpreh se “vjedhjen e të dhënave mund ta ketë bërë grupi kriminal i AKSHI-t” dhe jo hakerat iranianë.
“A ekzistojnë vërtetë hakerat iranianë? Nëse e mbani mend, doli lajmi që ishte databaza e Tatimeve apo lista e pagave dhe mbrapa doli pjesa e hakerave iranianë. Çfarë mund të kenë bërë këta? Këta mund të kenë bërë atë që quhet “shpërthim i kontrolluar”. Pra, janë dekonspiruar në një farë mënyre që kanë dalë këto të dhëna sensitive dhe atëhere si ta gjejmë? Do ia vëmë fajin një grupi të cilët kanë sulmuar sistemin dhe janë ata që i kanë marrë dhe i kanë publikuar. Pra, në një farë mënyre, për të mbrojtur veten mund të kenë bërë këtë veprim dhe ky është dyshim që është më se i arsyeshëm për t'u menduar”, tha Tafani.
“Sulmet e iranianëve kanë qenë të vazhdueshme, por se sa arrijnë të aksesojnë pastaj dhe se sa arrijnë të futen është tjetër muhabet sepse AKSHI i ka pasur sistemet e mira. Por, ekziston mundësia që edhe këto sulme të jenë bërë me porosi nga jashtë. Mund të paguash një grup në Turqi. Turqia ka qenë e njohur dikur për sulmet që bënte në drejtim të sistemeve në Evropë. Të sulmonin vazhdimisht dhe krijonin një uebsajt dhe të sulmojnë. Pra, ekziston mundësia për të bërë një gjë të tillë dhe duket shumë e arsyeshme të mendosh që u kanë dalë këto të dhëna që ata i kanë shitur diku, janë bërë publike dhe për të mbuluar faktin që këta kishin akses në këto të dhëna dhe që i kishin shitur këto të dhëna, mund të kenë sajuar vetë edhe këtë punën e këtyre që janë hakerat iranianë. Kjo nuk e përjashton faktin që sulmohet ajo faqe, por është e lehtë dhe për dikë të paguash që të sulmojë. Pra, ekziston kjo mundësi dhe praktikisht ka ndodhur në vende të tjera. Pra, kjo që janë porositur gjëra të tilla dhe në rastin tipik mua më lind dyshimi i arsyeshëm që për mënyrën se si rrodhën gjërat, për mënyrën se si këtu u bënë publike një herë përpara, pastaj doli sikur ishin këta iranianët dhe fakti që këta kishin akses dhe vazhdonin të mbanin akses dhe ishin të përqëndruar te ky akses, tregon që gjithë kjo pjesa tjetër pastaj ka qenë një tentativë për të mbuluar gjurmët që u kishte shpëtuar databaza sepse e kishin shitur", shtoi analisti. (A2 Televizion)