Ndarja nga jeta e Gerti Bogdanit, Kuvendi shtyn seancën, mban homazhe në nder të ish-deputetit

Nga A2 CNN
18 Shtator 2024, 15:28 | Politikë

Ndarja nga jeta e Gerti Bogdanit, Kuvendi shtyn seancën, mban homazhe

Vdekja e papritur e ish-deputetit demokrat Gerti Bogdani, ka bërë që të shtyhet seanca plenare e parashikuar për t’u zhvilluar këtë të enjte. Kuvendi ka vendosur që nesër të zhvillohen homazhe në nder të ish-deputetit Gert Bogdani.

“Të nderuar kolegë, ju njoftojmë se Kuvendi i Shqipërisë do të organizojë zhvillimin e homazheve në nderim të ish deputetit Gerti Bogdani, nesër, ditën e enjte, ora 10:00-12:00, në sallën e seancave plenare”, njofton Kuvendi.

Në një njoftim të dytë Kuvendi lajmëron se seanca e parashikuar në orën 10:00 do të zhvillohet në orë 17:00

"Të nderuar kolegë. Seanca e nesërme e parashikuar në ora 10:00 do të shtyhet në ora 17:00, pasi në orën 10.00 deri në 12.00 në sallën e parlamentit do të zhvillohen homazhet për ish-deputetin e ndjerë, Gerti Bogdani".

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, u nda nga jeta këtë të mërkurë në moshën 44-vjeçare. Sipas burimeve të A2 CNN, Bogdani pësoi infarkt dhe u transportua me urgjencë për në Qendrën Spitalore Nënë Tereza Spital, por nuk ia doli.

Në një njoftim zyrtar, Policia e Tiranës tha se Bogdani u gjet pa ndjenja, rreth orës 11:30, në ambientet e një hoteli në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Gjatë mbledhjes së Këshillit të Mandateve, lajmin e hidhur e konfirmoi edhe deputeti i PD, Gazment Bardhi. Më pas, mbledhja u shty për një ditë tjetër.

Kush ishte Gerti Bogdani?

I lindur në Tiranë më 1980 dhe i diplomuar në Universitetin Politeknik të Nju-Jorkut, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bogdani nis angazhimin në politikë në vitin 2005.

Në vitin 2007, nis detyrën si Sekretar i Marrëdhënieve me Jashtë i PD, detyrë që mbajti deri në vitin 2019. Po në vitin 2007 kandidoi në Zgjedhjet Vendore, duke u zgjedhur kryetar i Minibashkisë numër 10 në kryeqytet.

Në vitin 2009, Gerti Bogdani, kandidoi në Zgjedhjet Parlamentare të 28 qershorit 2009 dhe zgjidhet deputeti më i ri në Kuvendin e Shqipërisë. Në vitin 2013 fiton një mandat të dytë si deputet i PD. Gjatë dy mandateve parlamentare shërben në komisionin e Integrimit Europian dhe në komisionin e Medias.

Bogdani ishte martuar me aktivisten Edlira Çepani dhe kishte dy fëmijë.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos