“Ndërthurja e krimit me politikën është e frikshme”, Malaj: Do kemi ngadalësim të procesit të anëtarësimit

Nga A2 CNN
9 Mars 2026, 21:56 | Politikë

Ish-anëtari i Kryesisë së Partia Socialiste e Shqipërisë, Arben Malaj, i ftuar në emisionin “Off the Record” me gazetarin Andrea Danglli, ka ngritur shqetësime të forta për mënyrën se si po trajtohet lufta kundër korrupsionit dhe ndikimi i krimit në politikë dhe ekonomi.

Malaj tha se qëndrimet e ndryshme të politikës ndaj luftës kundër korrupsionit krijojnë dy standarde dhe dëmtojnë demokracinë. Sipas tij, dorëzimi vullnetar i imuniteteve nga politika ishte një hap i rëndësishëm për të krijuar një kulturë të re politike dhe për të treguar vullnet real për luftën kundër korrupsionit.

“Tani ndryshon dhe në qoftë se i njëjti lider ka një qëndrim ndryshe ndaj luftës kundër korrupsionit deri në dorëzimin vullnetar të imuniteteve dhe kur vjen në pozitë mban një qëndrim tjetër, atëherë është i njëjti person, por me dy sjellje shumë të ndryshme në raport me demokracinë.”

Ai paralajmëroi gjithashtu se Shqipëria rrezikon një ngadalësim të konsiderueshëm në procesin e integrimit europian për shkak të mënyrës se si po trajtohet reforma në drejtësi.

Sipas Malajt, reforma në drejtësi nuk ishte vetëm një nismë e socialistëve, por një proces i mbështetur nga faktori ndërkombëtar për shkak të rrezikut që paraqiste ndërthurja e krimit me shtetin, shkruan A2 CNN.

 “Reformën nuk e bëri vetëm Partia Socialiste, por e bënë 140 deputetë të detyruar nga faktori ndërkombëtar, pasi mafia shqiptare e lidhur me shtetin shqiptar ishte bërë kërcënim rajonal.”

Ai shtoi se problemi nuk lidhet vetëm me disa raste korrupsioni, por me një fenomen më të gjerë që prek ekonominë dhe investimet strategjike në vend.

 “Ndërthurja e krimit me politikën është në nivele të frikshme dhe duhet ta pranojmë dhe duhet ta luftojmë. Biznesi me paratë kriminale po bën politikë.”

Malaj theksoi se shumica parlamentare ka përgjegjësinë kryesore për të luftuar këtë fenomen, duke shtuar se votat e qytetarëve duhet të përdoren për të forcuar shtetin ligjor dhe jo për të mbrojtur interesa kriminale. Ai tha se këto shqetësime i ngre si studiues i ekonomisë dhe financave publike dhe jo si politikan. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos