Deputeti i Partisë Socialiste, Erjo Mile, i ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN, komentoi raportin e Këshillit të Mandateve dhe vendimin e grupit parlamentar të PS lidhur me kërkesën e SPAK.
Mile tha se raporti i paraqitur në grupin parlamentar të Partisë Socialiste u argumentua nga përfaqësuesit e mazhorancës në Këshillin e Mandateve, pas shqyrtimit të gjithë procesit ligjor që ka kaluar çështja, përfshirë edhe pritjen për një vendim nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.
Sipas tij, anëtarët e mazhorancës dhe të opozitës në Këshillin e Mandateve patën qëndrime të ndryshme, çka solli edhe paraqitjen e një raporti të veçantë nga përfaqësuesit e PS. Ai theksoi se, sipas këtij raporti, kërkesa e SPAK për një masë sigurie të shtuar nuk qëndron më.
Deputeti socialist argumentoi se masa e pezullimit nga detyra ishte ndër faktorët kryesorë të debatit juridik dhe se situata ka ndryshuar pasi Belinda Balluku nuk ushtron më funksionin e ministres apo të zëvendëskryeministres. Për këtë arsye, sipas tij, edhe logjika e pezullimit nga detyra bie.
I pyetur mbi provat e paraqitura nga SPAK, Mile u shpreh se personalisht nuk i ka parë ato pasi nuk është anëtar i Këshillit të Mandateve, por shtoi se nga raporti i paraqitur rezulton se provat janë konsideruar të pamjaftueshme për të justifikuar një masë kaq të rëndë sa heqja e lirisë.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e parimit të prezumimit të pafajësisë dhe nënvizoi se masa e ndalimit për të dalë jashtë vendit mbetet në fuqi, ndërsa kërkesa për një masë më të ashpër, sipas tij, nuk gjen mbështetje në rrethanat aktuale. (A2 Televizion)