
Gazetari Lavdrim Lita, i ftuar në emisionin “Off the Record” në A2 CNN me moderatorin Andrea Danglli, u shpreh kritik ndaj fokusit të politikës në debatet e fundit që lidhen me çështjen e imunitetit të Belinda Balluku.
Sipas Litës, zhvillimet politike të muajve të fundit tregojnë se debati publik është përqendruar në një çështje të ngushtë politike, ndërsa temat kryesore që lidhen me integrimin europian dhe të ardhmen e vendit kanë kaluar në plan të dytë.
“Tani me imunitetin e Ballukut katër muaj, dy muaj me çështjen e AKSHI-t, me problematikat e AKSHI-t, me videoskandalet aty brenda, nuk më duket që një parti është e fokusuar tek integrimi europian dhe tek e ardhmja e Shqipërisë dhe mendoj që duhet ndryshuar qasje.”
Ai theksoi se nëse nuk ndryshon qasja politike, atëherë një zgjidhje mund të jenë zgjedhjet e parakohshme, në mënyrë që qytetarët të vendosin për një qeverisje më të përgjegjshme.
“Nëse nuk ndryshon në qasje atëherë duhet të shkojnë drejt zgjedhje të parakohshme dhe t’ju japin edhe njëherë fatin në dorë qytetarëve dhe përmes votës të dali një qeverisje më e përgjegjshme”.
Lita u ndal edhe tek ndikimi politik që sipas tij po krijon kjo çështje brenda shumicës qeverisëse, duke iu drejtuar deputetit socialist në studio.
“Debati në shoqëri është: do lëshojë Belën apo jo, do lëshohet kjo, do hyjë kjo në burg apo jo. Kjo nuk është debat për qytetarët. Kjo është t’i ushqesh qytetarët me lugë bosh.”
Sipas gazetarit, mbrojtja politike ndaj Ballukut mund të jetë një zgjedhje personale brenda partisë, por në planin publik dhe politik situata ka marrë një tjetër dimension.
“Publikisht ajo tashmë është një mollë e kafshuar nga drejtësia dhe rrezikon të kthehet në një barrë shumë të rëndë politike për qeverisjen dhe për Partinë Socialiste”. (A2 Televizion)