Neza: Gjekmarkaj dha intervistë për dhunimin pastaj humbi ndjenjat. Harxhi: Policët nuk kanë pyetur as për gardistin që e shoqëronte

Nga A2 CNN
23 Dhjetor 2024, 20:59 | Politikë

Analisti Sami Neza tha në “Debat nga Alba Alishani” në A2 CNN se Agron Gjekmarkaj ishte dhunuar nga efektivët dhe kishte qenë vetë nënkryetari i Kuvendit që e kishte deklaruar këtë, pak sekonda para se të ndihej keq dhe të dërgohej në spital.

“Disa sekonda para se të jepej lajmi që zoti Gjekmarkaj u sëmur, ai dha një intervistë dhe tregoi se ishte dhunuar dhe qëlluar nga policia. Ishte përdorur dhunë brutale ndaj tij dhe njerëzve që kishte pranë”, u shpreh Neza.

Ndërsa për Edith Harxhin, situatën e bën më të rëndë fakti që Gjekmarkaj, në cilësinë e nënkryetarit të Kuvendit, duhet të ishte i shoqëruar edhe nga një efektiv i Gardës së Republikës. “Jam e sigurt që kamerat e mediave do të bëjnë të mundur zbardhjen e situatës. Nëse bodigardi që ka qenë aty për ruajtjen e nënkryetarit të Parlamentit, ka treguar kartën e Gardës së Republikës dhe nëse ka pasur cenim fizik të tij, natyrisht kjo do të thotë që policia nuk ka pyetur jo vetëm për gardën, por as edhe për nënkryetarin e parlamentit”, tha ajo. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos