Shiu duket lagu barutin e nervit të demokratëve. As prania e Sali Berishës nuk arriti të prodhonte ndryshim nga mosbindjet e fundit civile ku vetëm qindra qytetarë iu përgjigjën thirrjes për të bllokuar pesë nyjet e Tiranës, shkruan A2 CNN. Pavarësisht kësaj, kryedemokrati e cilësoi të akt të mosbindjes civile si sukses të aksionit të demokratëve.
Pas kësaj deklarata të shoqëruar me ovacione, Berisha nisi marshimin nëpër Tiranë dhe shkoi në çdo pikë ku demokratët kishin bllokuar rrugën. “Besuan se, shiu, moti do të na pengonte. Ja, ku jemi më shumë se kurrë nga e gjithë Shqipëria në këtë betejë, e cila ndalet vetëm kur të krijojmë qeveri teknike dhe qytetarët shqiptarë të votojnë të lirë”, tha Berisha.
Numrat në rrugë nuk ishin aq shumë sa policia të mbante rol pasiv. Pas 60 minutash paqe, filluan manovrën për lirimin e rrugëve dhe për rikthimin e qarkullimit të automjeteve.
Kupola drejtuese e Partisë Demokratike ishte shpërndarë në disa zona të kryeqytetit, për të mbajtur militantët, por prania e tyre ishte e vështirë të shquhej nga çadrat e shumta të shiut. Por më shumë se sa çadrat, numëroheshin skafandrat e policisë që vijuan ndërhyrjen.
Forcës së policisë nuk i shpëtuan dot as drejtuesit e lartë të PD. Agron Gjekmarkaj dhe Gazment Bardhi duket se e panë vetën ngushtë. “Kriminelët me uniformë kanë goditur nënkryetarin e PD-së Agron Gjekmarkaj. Ky është një akt kriminal i porositur direkt nga Edi Rama”, tha Berisha. Këtyre akuzave Policia e Shtetit iu përgjigj me të njëjtën gjuhë duke mohuar dhunën ndaj deputetit Gjekmarkaj dhe akuzoi Flamur Nokën se ka fyer dhe kundërshtuar uniformat blu.
Teksa protesta po shuhej, Berisha vijonte marshimin e tij nëpër Tiranë dhe ndalën e fundit e pati tek Spitali i Traumës, ku pa nga afër gjendjen e Agron Gjekmarkajt. “Zoti Gjekmarkaj po merr ndihmën e parë, është vizituar nga mjekët me përgjegjësi, do qëndrojë sonte në vëzhgim dhe shpresojmë që gjendja e tij të mos përkeqësohet natën, por të përmirësohet dhe të largohet nesër nga spitali”, tha Berisha.
Pas Sali Berishës, deputetin demokrat e vizitoi në spital dhe Gazment Bardhi i cili vijoi akuzat ndaj policisë. (A2 Televizion)