Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, është shprehur se vjedhja e votave nga mazhoranca bëhet edhe me miratimin e përfaqësuesve të opozitës në komisionet e numërimit.
Komentet Malaj i bëri në studion e emisionit ‘Off the Record’ me gazetarin Andrea Danglli në A2 CNN, ku tha se në vitin 2013 kur kandidoi si kandidat i pavarur në Vlorë, votat e tij u vodhën nga PS me miratimin e plotë të PD-së.
Malaj shtoi se ishte kundër sistemit të patronazhistëve që PS ka ngritur, pasi sipas tij, kjo po ushqen klientelizmin dhe mungesën e meritokracisë në vendet e punës në shtet.
“Nuk është puna vetëm te PS. Unë kandidova i pavarur në Vlorë në vitin 2013. Votat u vodhën me miratimin e plotë të përfaqësuesve të Partisë Demokratike. Edhe votat që vidhen tani, nuk vidhen se PD nuk i mbron dot. Por ata që përfaqësojnë PD-në në këto komisione, janë të parët të fokusuar nga mazhoranca për t’i blerë.
Korrupsioni politik nuk është thjeshtë se e bejnë patronazhistët e PS-së, që unë jam totalisht kundër skemës së patronazhistëve, sepse i kanë ushqyer tani që kur del një problem të thonë ‘mos më hiq nga puna se jam patronazhist’.
Kur duan një karrierë të pamerituar fare thonë ‘unë kam qenë patronazhist’. Nuk bëhet asnjë vend me patronazhistë. Ata janë bërthama mbështetëse të partive politike, por jo duke i ushqyer me drogën politike që ‘vidh sa më shumë se pastaj do ta shpërblej unë’”, tha mes të tjerash Malaj. (A2 Televizion)