Analisti Endri Tafani ka ngritur shqetësime për mënyrën se si institucionet shqiptare po reagojnë ndaj sulmeve kibernetike.
I ftuar në emisionin “Off the Record” me Andrea Danglli në A2 CNN, Tafani kujtoi se Shqipëria ka pasur më parë mbështetje nga aleatët për mbrojtjen kibernetike. Sipas tij, gjatë sulmeve iraniane në vitin 2022, vendi ynë mori ndihmë nga ekspertë të SHBA-së dhe Izraelit.
“Kur kanë ndodhur sulmet iraniane në 2022-shin ne kemi pasur ndihmën e ekspertëve nga SHBA dhe Izraeli për sa i përket mbrojtjes kibernetike. Madje kemi nënshkruar edhe një memorandum bashkëpunimi me Izraelin në 2023, më duket”, u shpreh Tafani.
Sipas analistit, problemi më i madh lidhet me reagimin institucional brenda vendit. Tafani kritikoi faktin që nuk është mbledhur Këshilli i Sigurisë Kombëtare për të diskutuar këto zhvillime.
“Përveç pjesës që nuk funksionon siç duhet infrastruktura, që të gjithë jemi të ndërgjegjshëm për problematikat që ka e-Albania apo AKSHI, ajo që unë shikoj si problem shumë të madh është që këtu nuk mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare. Domethënë këtu flenë të gjithë”, tha ai.
“Ti e ke drejtoreshën e AKSHI-t në arrest shtëpie dhe tani kur ti ke prekur një infrastrukturë kaq të rëndësishme, bëhet një mbledhje përpara. Nuk mund të lihet në moment të fundit, ndodhi ngjarja dhe hajde mblidhemi tani. Ngjarjet duhen paraprirë”, shtoi Tafani.
Në fund, ai theksoi se edhe roli i Presidentit të Republikës duhet të jetë më aktiv në çështjet e sigurisë kibernetike.
“Presidenti i vendit, që është një organ që duhet të përfshihet më tepër, duket sikur është totalisht i mefshtë sa i përket sigurisë kibernetike dhe këtë unë e shoh si shumë problematike”, përfundoi analisti. (A2 Televizion)