Në fillim iu doli djali, një ditë më pas e bija... si oficerët e Policisë Gjyqësore nuk ia dorëzuan dot Berishës urdhrin për masën e sigurisë

Nga A2 CNN
7 Nëntor 2023, 17:18 | Politikë

Në fillim iu doli djali, një ditë më pas e bija... si

Oficerët e Policisë Gjyqësore nuk kanë mundur t’i dorëzojnë Sali Berishës urdhrin e Gjykatës për masën e sigurisë “detyrim paraqitje” pasi nuk kanë arritur ta takojnë në të gjitha përpjekjet e tyre.

Të paktën kështu thuhet në vendimin e arsyetuar të Gjykatës në lidhje me miratimin e masës së sigurisë së dhënë ndaj ish-kryeministrit.

Në dokument thuhet se oficerët e Policisë Gjyqësore kanë shkuar në banesën zyrtare të Berishës në rrugën “Mustafa Matohiti”, rreth 25 minuta pas mesnate, në datën 22 tetor, pasi kishin marrë informacion se ai ndodhej në banesë.

Por pasi kanë trokitur në derë, iu është shfaqur djali i tij, Shkëlzen Berisha, i cili, sipas asaj që shkruhet në vendimin e Gjykatës, u k thënë se babai i tij nuk dëshironte të takonte njeri dhe se orari ishte i papërshtatshëm. Në këto kushte, oficerët janë kthyer në mëngjes, rreth orës 9:45, në të njëjtën banesë. Këtë herë në derë iu është shfaqur e bija e ish-presidentit, Argita Malltezi, e cila u ka thënë se Berisha banonte në katin e katërt të të njëjtit pallat. Sipas orientimit ata i janë drejtuar apartamentit, por nuk iu është përgjigjur njeri.

Oficerët kanë shkuar edhe në zyrat e Partisë Demokratike por edhe në ato të Kuvendit, por në asnjë moment nuk kanë mundur të dorëzojnë urdhrin e Gjykatës për masën e sigurisë.

Ndaj Berishës është dhënë masa “detyrim paraqitje” pasi akuzohet për korrupsion pasiv në çështjen e privatizimit të klubit sportiv Partizani. Për të njëjtën çështje është arrestuar dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, i cili akuzohet si përfitues i disa ligjeve të miratuara nga qeveria që drejtonte vjehrri i tij.

Berisha refuzon të paraqitet në Gjykatë, pasi thotë se vendimi nuk mund të merrej pa autorizim nga Kuvendi, duke qenë se është deputet. Në vendimin e arsyetuar, Gjykata thotë se nuk është shkelur Kushtetuta, pasi nuk bëhet fjalë për heqje lirie, pra arrestim, por kufizim i lirisë së lëvizjes. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos