Në kërkim të “spiunëve”. Kuvendi i lë detyrë Autoritetit: Gjej ish-sigurimsat, rikontrollo edhe të “pastruarit”

Nga Ervin Koçi
14 Gusht 2024, 14:25 | Politikë

Kuvendi i kërkon Autoritetit të Dosjeve që të vijojë me verifikimin e zyrtarëve të lartë, duke përfshirë edhe ata që e kanë marrë në të shkuarën një certifikatë pastërtie. Në rezolutën për këtë institucion, Kuvendi kërkon gjithashtu bashkëpunimin me KQZ për gjetjen e mekanizmave ligjore për amendimin e Kodit Zgjedhor apo ligjit për partitë politike për të identifikuar dhe larguar ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit nga zgjedhjet.  

Kuvendi vijon t’i kërkojë Autoritetit të Dosjeve verifikimin e zyrtarëve të lartë shtetërorë, përshirë edhe ata që kanë një certifikatë pastërtie. Rezoluta e miratuar në Parlament për këtë institucion i ka lënë për detyrë Autoritetit që të ketë me prioritet futjen në filtër të personave të pastruar nga komisionet Mezini e Bezhani: “Kuvendi kërkon që Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit për vitin 2024 të intensifikojë bashkëpunimin me institucionet kushtetuese dhe autoritetet publike për riverifikim të figurës së zyrtarëve të pajisur më parë me certifikatë pastërtie nga komisionet “Bezhani” e “Mezini”. 

Nga këto dy komisione të ngritura pas rënies së komunizmit kaloi kupola politike e kohës, ku një pjesë e protagonistëve të atyre viteve vijojnë të jenë në të njëjtin rol edhe sot, dhe nëpërmjet kësaj detyre, duket se Parlamenti kërkon të vetëpastrohet. Kjo dallohet edhe më shumë te detyra tjetër që Kuvendi i ka lënë Autoritetit, ku i kërkon bashkëpunimin me KQZ për identifikimin e ndryshimeve ligjore të nevojshme në Kodin Zgjedhor dhe ligjin për partitë politike për largimin e ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit nga politika aktive: “Kuvendi kërkon që Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit për vitin 2024 të bashkëpunojë me KQZ-në për ndryshimet e nevojshme të kuadrit ligjor ekzistues lidhur me integritetin e zyrtarëve, Kodit Zgjedhor, apo ligjit për partitë politike në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe të angazhohet për verifikimin e të gjithë kandidatëve në zgjedhje”. 

Rezoluta për Autoritetin tashmë ka hyrë në fuqi dhe nëse do të zbatohet apo jo, do të dallohet në raportimin e radhës të këtij institucioni përpara deputetëve.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos