Negociatat për politikën e jashtme Shqipëria në tryezë me BE, Rama: Të integrohemi deri në 2030

Nga A2 CNN
17 Dhjetor 2024, 15:18 | Politikë

Në tryezën e tretë ndërqeveritare me BE, Shqipëria hapi dy kapituj për politikën e jashtme. Detyrat që duhet të plotësojë vendi ynë për këto grupe kapituj, sipas kryeministrit Edi Rama, nuk janë aq të vështira sa negociatat për shtetin e së drejtës, administratën publike apo luftën ndaj korrupsionit.

“Për këtë grup kapitujsh që kemi hapur sot, nuk është fort i vështirë, sepse Shqipëria ka qenë gjithmonë në harmoni me politikat e BE-së sa i përket diplomacisë, sigurisë, edhe vetë shqiptarët janë mbështetës për këto lloj politikash. Ne kemi bërë një zgjedhje të qartë si komb, që ne duam të "martohemi" me BE-në dhe të harrojmë të gjitha "divorcet" e së kaluarës”, tha Rama, shkruan A2 CNN.

Brukseli ia bëri edhe një herë të ditur Edi Ramës se rruga europiane e Shqipërisë në BE nuk mund të përshkruhet e vetme, pa përfshirjen e të gjithë aktorëve në Tiranë.

“Kam besim në vendosmërinë e Shqipërisë për të punuar fort për këto negociata dhe mbështetem te ju që të mund të jeni të përkushtuar për të gjitha reformat për këtë proces. Duke parë konsensusin kombëtar për sa i përket negociatave, përfshirja nuk duhet të vijë vetëm nga qeveria apo parlamenti, por edhe nga shoqëria civile, çdo individ dhe çdo qytetar”, tha Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos.

Në Bruksel, Edi Rama përsëriti edhe një herë ambicien e tij që të ulet në krah të liderëve të BE-së me të drejta të plota brenda vitit 2030. “Nuk ka dyshim në mendjen tonë se një Europë me Ballkanin Perëndimor do të jetë më e fortë dhe më e bashkuar. Dhe do të jetë më e sigurt. Ndaj, ambicia jonë nuk është sekret. Ne duam të sigurohemi që i kemi bërë detyrat tona të shtëpisë dhe që negociatat tona të mbyllen në vitin 2027, me shpresën që anëtarësimi ynë në BE të përfundojë brenda kësaj dekade”, tha Rama.

“Sot ishte për hapjen, zoti Rama, por do të fillojmë gjithashtu edhe me mbylljen e tyre brenda mandatit tim 5-vjeçar, me shumë shpresë”, tha Kos.

Për të arritur këtë objektiv të Kryeministrit të Shqipërisë, sipas ministrit të Jashtëm hungarez, Brukseli duhet të heqë dorë nga burokracitë. Duke mos i kursyer kritikat për BE-në, ai lavdëroi punën e Presidencës Hungareze për integrimin e Ballkanit Perëndimor.

“Në 2 muaj kemi pasur dy konferenca ndërqeveritare. Dy grupe kapitujsh janë hapur dhe kjo shpejtësi është e paprecedent. Pra, më shumë ka ndodhur këto dy muajt e fundit sesa në 15 vitet e kaluara. Them se kjo paraqet sukses për Shqipërinë, për presidencën hungareze dhe Bashkimin Europian. Ne do të donim që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor tashmë të jenë pjesë e Bashkimit Europian”, tha Peter Szijjarto.

A2 CNN ka mësuar se, sipas projeksionit të grupit negociator shqiptar, konferenca e katërt ndërqeveritare me BE do të mbahet në mars, ndërsa e pesta në dhjetor të vitit 2025. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos