Sesioni i ri parlamentar nisi mes kaosit këtë të hënë, ashtu siç ishte mbyllur sesioni i kaluar. Opozita mori bilbilat në Kuvend si dhe bllokoi edhe foltoren duke mos lejuar presidentin Bajram Begaj të japë mesazhin e tij për opozitën dhe mazhorancën, në një kohë kur Kuvendi ka muaj që nuk po funksionon normalisht. Kjo është konsideruar si provokim nga ana e opozitës.
Në këtë situatë, Begaj u zhvendos në Presidencë ku dha mesazhin e tij për palët politike, duke bërë thirrje për bashkëpunim.
"Për shkak të rrethanave që shoqëruan mbylljen e sesionit të kaluar, pamundësia për zhvillimin e një seance normale, më bën që këtë mesazh ta përcjell për politikanë dhe deputetë të Shqipërisë përmes jush. Çelja e sesionit të ri ishte një mundësi e mirë që deputetët të shënonin fillimin e një kthese në jetën politike të vendit. Me dashurinë për Shqipërinë, me respektin për qytetarët që ju kanë zgjedhur, ju deputetë mund dhe duhet të gjeni gjuhën e përbashkët", tha Begaj.
Ndërkohë, në seancë ishin pranishëm edhe ambasadori britanik Alastair King-Smith dhe ai gjerman Karl Bergner. (A2 Televizion)