Nga takimet me liderët politik te mbrojtja kibernetike në kuadër të NATO-s, zbardhet axhenda e Ramës në Estoni

Nga A2 CNN
15 Maj 2026, 09:17 | Politikë

Nga takimet me liderët politik te mbrojtja kibernetike në kuadër

Kryeministri Edi Rama, do të zhvillojë sot një vizitë pune në Tallinn, Estoni, me rastin e pjesëmarrjes në Konferencën Lennart Meri 2026, një nga forumet më të rëndësishme ndërkombëtare të debatit mbi politikën e jashtme, sigurinë dhe sfidat gjeopolitike globale, e organizuar këtë vit nën moton “Fati i favorizon të guximshmit”.

Kryeministri Rama është i ftuar në panelin hapës “Një Urë mbi Ujëra të Trazuara: Kapitulli i Ardhshëm i Bashkëpunimit Transatlantik”, përkrah liderëve dhe përfaqësuesve të lartë euroatlantikë ku diskutimi do të fokusohet në të ardhmen e partneritetit transatlantik, forcimin e shtyllës europiane të NATO-s, sfidat e sigurisë globale dhe rolin e Ukrainës në arkitekturën e re të sigurisë europiane.

Në kuadër të vizitës, Kryeministri Rama do të zhvillojë një takim dypalësh me homologun e tij, Kryeministrin e Estonisë Kristen Michal në Shtëpinë Stenbock, - i cili do të pasohet nga takimi mes dy delegacioneve, si dhe do të mikpritet nga Presidenti i Estonisë Alar Karis, në zyrën e tij.

Gjatë qëndrimit në Tallin, Kryeministri Rama dhe delegacioni shqiptar do të vizitojnë Qendrën e Ekselencës për Mbrojtjen Kibernetike Bashkëpunuese të NATO-s, ku do të takohen me drejtuesit e qendrës dhe do të njihen me veprimtarinë dhe rolin e saj në forcimin e mbrojtjes kibernetike në kuadër të NATO-s.

Pjesë e agjendës është edhe vizita në Memorialin e Viktimave të Komunizmit në Maarjamäe, si dhe ndalesa në e-Estonia Briefing Centre, një nga qendrat më të njohura ndërkombëtare të inovacionit dhe qeverisjes digjitale.

Ndër të tjera, Kryeministri Rama do të japë një intervistë për të përditshmen estoneze Postimees, mbi perspektivën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos