Sejamini: Kuvendi ka humbur rolin për të kufizuar pushtetin e ekzekutivit

Nga A2 CNN
14 Maj 2026, 22:55 | Politikë

Gazetari Neritan Sejamini u shpreh se “problemi kryesor që ka Kuvendi është se ka humbur rolin për të kufizuar pushtetin e ekzekutivit”.

“Kuvendi duhet të funksionojë si Kuvend dhe për ta bërë këtë nuk është çështja që palët të bashkëpunojnë. Thelbi i jetës parlamentare ka të bëjë me mbrojtjen e të drejtave të pakicës dhe me kontrollin ndaj shumicës. Demokracia funksionon kur shumica nuk ka pushtet të pakufizuar dhe kur pakica ka hapësirë. Problemi kryesor që ka Kuvendi është se ka humbur rolin për të kufizuar pushtetin e ekzekutivit. E vetmja mënyrë që opozita të kontribuojë në jetën e Kuvendit është duke i kërkuar llogari shumicës”, tha Sejamini në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.

“Nëse pakica kërkon krijimin e komisioneve hetimore, që janë e drejtë kushtetuese, dhe shumica ia mohon me forcën e votës, edhe kjo është moskufizim i pushtetit të shumicës. Kuvendi duhet të ushtrojë funksionin e vet, që do të thotë se pakica duhet të kundërshtojë shumicën dhe të ketë hapësirë për ta bërë këtë gjë në përputhje me Kushtetutën”, shtoi gazetari. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos