Noka në Kuvend me bluzën “Lironi liderin e opozitës”

Nga A2 CNN
2 Maj 2024, 13:37 | Politikë

Noka në Kuvend me bluzën “Lironi liderin e opozitës”

Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, është shfaqur në Kuvend me bluzën ku shkruhet “Lironi liderin e opozitës”. Nga Foltorja e Kuvendit, Noka ka se qeveria po përpiqet që të kapë reformën në drejtësi dhe këtë po e bën me skandalin që u regjistrua në provimin e magjistratëve të rinj. Sipas tij, ajo që ndodhi gjatë këtij testi, ku nga 70 fitues, lista u dyfishua të nesërmen në mëngjes nuk është gjë tjetër veçse një shkatërrim dhe kapje e sistemit të drejtësisë

“Të flasësh për këtë qeveri, çdo ditë është më e vështirë sepse kalojnë nga skandali në skandal. Është e vështirë që të kalojë një ditë pa dëgjuar që u plas një skandal. Skandali i Shkollës së Magjistraturës, aty ku duhet të formohen gjyqtarët dhe prokurorët, është një nga skandalet më të rënda që mund të ndodhë. Është praktikisht shkatërrim i sistemit të drejtësisë. Është praktikisht kapje e sistemit të drejtësisë. Sepse ata gjyqtarë dhe prokurorë që kalojnë te ajo shkollë, do jenë përjetë në ato karrige. Çfarë ndodhi? Në një moment që janë ulur 411 konkurrentë, në një sallë ku nuk kishte asnjë përfaqësues ndërkombëtarë, nuk ishin as pedagogët, por vetëm disa punonjës administrate, edhe ata kundër rregullores me telefona në dorë, u shpërnda teza.

Në mënyrë të fshehtë dhe tinëzare, pa u njoftuar askush, spiuni i Sigurimit të Shtetit, Arben Rakipi, vendos që testet të korrigjohen manualisht. Sipas tij, pajisja ka korrigjuar vetëm 96 pyetje nga 100 të testit. Kush e solli këtë pajisje? A u testua ajo? Askush nuk jep përgjigje. U shpallën nga 411, 79 fitues. Më pas, dy ditë mbrapa shtohet lista me 42 fitues të tjerë. Edhe ditën e tretë duhet shtuar lista se nuk u kënaqën patronazhistët e rilindjes. U shtua lista edhe me 10 të tjerë.

Dhe çfarë ndodh? Për të fshehur këtë krim shtetëror, nuk e rendisin siç e kërkon rregullorja, mbi bazën e pikëve, por mbi bazën e rendit alfabetik që të ngatërrohen pikët. Pse ndodhi kjo? Plasja e këtij skandali tregon qartë se synimi juaj nuk është të prodhoni brez të ri juristësh që do jenë nesër prokurorët apo gjyqtarët e nesërm. Jo, kjo ka vetëm një synim që patronazhistët të mbushin sistemin e drejtësisë, që ju të vidhni dhe ata t’i mbrojnë se do jenë ushtarët tuaj. Kjo, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për çdo ndërkombëtar që ka investuar për të famshmen drejtësi të re, është një kambanë alarmi. Pas rrëzimit që i bënë vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ky është hapi i dytë që ju reformën në drejtësi po e ktheni në reformë të rilindjes, në reformë politike”, tha Noka.

Më herët, dhe presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është parë me këtë bluzë, poshtë shtëpisë së ish-kryeministri Sali Berisha.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos