"Non grata e Berishës ka rënë"- Aldo Bumçi: Mund të ftohet për vizitë në SHBA, u zgjodh zv.president i organizatës...

Nga A2 CNN
20 Janar 2026, 22:14 | Politikë

Ish-ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN, deklaroi i bindur se “non grata e Sali Berishës ka rënë” dhe shtoi se kreu i Partisë Demokratike mund ta vizitojë Amerikën.

“Nga administrata e kaluar amerikane pati një sulm për të shkatërruar Partinë Demokratike dhe për ta bërë Edi Ramën mbret. Se kur Rama vodhi zgjedhjet dhe vendi u bë narkoshtet, ata nuk thonin asnjë fjalë dhe goditën opozitën. Dhe goditja ndaj zotit Berisha, që në atë kohë nuk ishte kryetar, ishte goditje për goditur opozitën, për të izoluar opozitën. Korruptimi i McGonigal ishte për të goditur zotin Basha dhe zotin Berisha, se zoti Basha ishte kryetar dhe për të nënshtruar opozitën shqiptare. Ky ka qenë projekti. Blinken u bë pjesë e tij dhe dosja është bosh dhe kanë deklaruar dhe të tjerë zyrtarë të lartë që sot janë pjesë e kabinetit të Trumpit. Kanë deklaruar që dosja është bosh. Tani, mbas ndryshimit të administrative, Blinken është non grata në të gjitha institucionet amerikane. Nuk ka ndodhur kurrë që një Sekretar Shteti të jetë non grata në Ministrinë e tij”, tha fillimisht Bumçi.

“E njëjta gjë ndodhi në Amerikë. Sa çështje iu hapën Trumpit para zgjedhjeve? 92 akuza penale. A ju hoq emrin nga fleta e votimit? Gjykata e Lartë i ktheu emrin. Po e lëmë atentatin për ta vrarë. Pra, këtu kishte një projekt për të shkatërruar demokracinë. Administrata e re nuk ka më izolim të Partisë Demokratike. Kemi pasur vizita të nivelit të lartë. Janë dy dëgjesa që janë bërë në Kongresin Amerikan ku kanë qenë deputetët tanë. Dëgjesa që janë bërë me nxitjen tonë dhe po përmend të fundit para pak ditësh. Nga dëgjesa u përmend qeveria teknike si zgjidhje për Shqipërinë për shkak se nuk ka zgjedhje të lira, për shkak se krimi ka ndërhyrë në zgjedhje, për shkak se drejtësia ka ndërhyrë politikisht duke ndjekur drejtuesit politik të opozitës. Kjo administratë e re tani dhe Kongresi në dy dëgjesa kanë dalë dhe kanë bërë një skaner të kësaj drejtësie. Dhe zoti Berisha u zgjodh zëvendëspresident i organizatës më të madhe të qendrës së djathtë ku është Partia Republikane. A mund të zgjidhet një person që amerikanët nuk duan? Non grata ka rënë. E ke deklaratë para zgjedhjeve të Departamentit Amerikan të Shtetit që zoti Berisha mund të ftohet dhe të vizitojë Amerikën. Pse u zgjodh zoti Berisha? Marrëdhëniet janë rikthyer, kemi kontakte në nivelet më të larta dhe fakti që sot flitet për narkoshtet dhe nuk ke takime me Ramën, tregon që faktet e opozitës dhe zëri i opozitës ka shkuar nivelin më të lartë”, shtoi Bumçi.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos