Dy vendime janari për Partinë Agrare Ambientaliste. Së pari Agron Duka do të vijojë bashkëpunimin me Partinë Demokratike edhe për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit. Ai sqaroi se kandidatët agraro-ambientalistë do strehohen në listën e koalicionit kryesor opozitar, me synimin që të kenë përfaqësues në 10 qarqe në pjesën e hapur. Por për të hedhur firmën zyrtarizuese të bashkëpunimit ka kërkesa dhe për listën e fiksuar.
“Do kemi në çdo qark nga një në listën e hapur dhe natyrisht një ose dy në listën e mbyllur, akoma nuk kanë mbaruar negociatat por jam i sigurt që do dakordësohemi”, tha kreu i PAA, Agron Duka, raporton A2 CNN.
Vendimi i dytë përfundimtar është se Duka nuk do të jetë deputet në leëgjislaturën e re. Por ai premton angazhim të plotë në të gjitha qarqet, ku kufiri maksimal është 40 mijë vota, edhe pse emri i tij nuk do jetë në asnjë listë.
“Unë nuk kandidoj më për parlament, shumë njerëz më thonë që ky vendim mund të ndikojë negativisht për PAA, unë nuk mendoj kështu. Se në fund të fundit, është diskutuar shumë që pse nuk u hapet rrugët të rinjve, unë këtë po mundohem të bëj. Nëse kjo tezë bie poshtë, do të thotë që ky eksperiment dështon dhe u themi kryetarëve të partive rrini aty deri sa të vdisni”, theksoi Duka, transmeton A2 CNN.
Vendimin e tij Duka ua sugjeron edhe krerëve të tjerë të partive, por nuk e konsideron opsion tërheqjen e Sali Berishës në këtë fazë.
“Është shumë e vështirë që kreu i opozitës të marrë një vendim të tillë sepse çakordohet e gjithë anija, kurse varka jonë është e vogël dhe e rimarrim veten shpejt”, u shpreh Duka.
Aleati i vjetër i demokratëve pati një ftesë për bashkim për të gjitha partitë e tjera të vogla, që të bëhen bashkë në zgjedhjet e 11 majit, për të qenë vagonë të trenit që udhëhiqet nga Partia Demokratike. (A2 Televizion)