Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku renditi disa nga arsyet që çuan sipas saj në vendimin historik të uljes së çmimit të energjisë, në një kohë kur e gjithë bota i ka rritur ato.
Zv.kryeministrja liston performancën e sektorit në këtë vendimmarrje, teksa përmend dhe uljen e humbjeve në rrjet dhe arkëtimet në rritje të energjisë së shpenzuar si faktorë kyç.
“Ulja vjen për shkak të performancës së sektorit, kompanitë që janë pjesëmarrëse, OST, KESH dhe duke e përmbyllur te OSHEE, kompania më e madhe energjetike me 6000 punonjës, që mban peshën e marrëdhënies me klientin. Të tre kompanitë kanë operuar gjatë 2022-2024 në një koordinim të plotë si një trup të vetëm për të arritur kërkesën e qeverisë për të ulur cmimin e energjisë. Ne ulëm humbjet në rrjet në 17% nga 46% që ishte në 2012 dhe të gjitha proceset e investimeve do të na sjellin në një ulje të mëtejshme. 1% ulje e humbjeve kursen 7 milionë euro për OSHEE. Norma e arkëtimit ka ardhur në rritje. Në 2013 ishte 65% të energjisë së shitur. Në 2024 kemi mbyllur arkëtimet me 100.5% dhe kjo vjen dhe si pasojë e mbledhjes së detyrimeve të prapambetura”, tha Balluku. (A2 Televizion)