“Nuk ka asnjë qendër votimi që PS nuk e fiton dot!” Rama nga njësia 12 kërkon angazhim për zgjedhjet vendore

Nga A2 CNN
4 Prill 2026, 15:06 | Politikë

“Nuk ka asnjë qendër votimi që PS nuk e fiton dot!”

Nga njësia numër 12 në Tiranë, kryeministri Rama kërkoi angazhim maksimal që në zgjedhjet vendore të fitohet në çdo qendër votimi. "Nuk ka rezultat që Partia Socialiste nuk mund ta arrijë, tha Rama nëse organizohet siç duhet”.

Për Ramën, fitorja kësaj here nuk është ego politike e të majtëve, por një detyrim që kjo forcë politike ka marrë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, duke mohuar akuzat e demokratëve për bllokim të negociatave.

“Partia Socialiste ka kapacitet të bëjë më mirë edhe të fitojë më shumë. Koha ka treguar që nuk ka asnjë vend, asnjë qendër votimi që Partia Socialiste nuk e fiton dot, por ka qendra votimi ku Partia Socialiste nuk fiton, sepse nuk organizohet si duhet dhe sa duhet. Nuk ka asnjë rezultat që ne nuk e arrijmë dot, por rezultatet që nuk arrijmë, vijnë sepse nuk bëjmë punën aq sa duhet dhe na duhet vetëdija që këtë punë dhe këtë përpjekje ne e kemi detyrë më të madhe sesa thjesht ndaj vetes apo për veten. Kjo arsye madhore është mundësia historike që neve na ka ardhur në dorë. Janë krijuar kushtet që ne ta shohim derën e Europës afër dhe të hapur plotësisht.

E kemi parë se sa shumë është folur mbrapsht edhe për procesin e negociatave me BE, jo u bllokua, jo u ndalua, jo nuk bëhet kjo punë me Ramën dhe PS. Kemi bërë shumë nga ana jonë për të arritur këtu, por një gjë duhet me e pasur mirë parasysh: që nuk mjafton. Ne mund ta kishim bërë të gjithën dhe nuk mjafton, sepse i vogli, vendi i vogël, populli i vogël nuk i mjafton që të bëjë më të mirën e vet; duhet që edhe të tjerët ta shohin me sy të mirë.

Dhe janë bashkuar yjet e fatit, sepse për arsye që nuk lidhen vetëm me sa mirë kemi punuar ne, por lidhen edhe me si po shkon bota, Bashkimi Europian do që të na marrë brenda vetes dhe kjo është e jashtëzakonshme. Ky moment është konkret. Tani, ne duhet të bëjmë deri në fund atë që kemi në dorë. Ne na duhet të bëjmë maksimumin që dera e hapur të mbyllet vetëm pasi ne të kemi hyrë brenda", theksoi Rama.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos