“Nuk ka asnjë shans të integrohemi në BE”, Pollo: Zotimi për vitin 2030 i rremë

Nga A2 CNN
26 Dhjetor 2025, 21:51 | Politikë

“Për shumë arsye, unë mendoj që premtimi i Edi Ramës dhe shumë zyrtarëve të tjerë në Bruksel për mbyllje kapitujsh në vitin 2027 apo anëtarësim në 2030 është flluskë. Nuk ka asnjë shans të realizohet”.

Kështu u shpreh Genc Pollo, nga Partia Demokratike, i ftuar në studion e “ÇdoKënd” nga Merita Haklaj, në A2CNN.

“Do doja të isha i gabuar, por është shumë objektive të thuash që janë flluska dhe janë premtime që keqpërdoren për propagandë. Për të mbyllur kapitullin e sigurisë ushqimore, po themi, duhen investime në laboratorë, gjë që qeveria nuk ka ndërmend t’i bëjë. Ky është një nga problemet me natyrë teknike që Shqipëria duhet t’i zgjidhë. Por, ndërkohë që Shqipëria ishte një demokraci funksionale, me një shtet ligjor imperfekt, por gjithsesi funksional, kthehet në një autokraci ku gjithë pushteti është në një dorë dhe përdoret për të plaçkitur miliona, dhe ku të gjitha të dhënat e shtetasve kontrollohen në një agjenci të vetme që është nën kontrollin e bandave, atëherë duket një luks i jashtëzakonshëm të flasësh për sigurinë ushqimore”, tha Pollo.

“Ne kemi një regres, ndërkohë që zyrtarë të caktuar të Brukselit kanë duartrokitur për progres. Kjo ka shpjegimet e veta në keqkuptimet e tyre, në iluzionin e disa njerëzve që edhe pse gjërat po shkojnë keq sa i përket demokracisë, një gjyqësor i reformuar mund ta ndryshojë shoqërinë”, shtoi Pollo. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos