“Nuk ka debat për drogën”, Çuçi: Respektuam vendimin e Kushtetueses për Xhaçkën

Nga Anesti Barjamemaj
15 Prill 2024, 23:30 | Politikë

Socialistët vijojnë të insistojnë se e kanë respektuar Gjykatën Kushtetuese për mandatin e Olta Xhaçkës, ndonëse nuk pranuan ta dorëzojnë fatin e deputetes së tyre në duart e trupës, pavarësisht se një vendim i mëhershëm i të njëjtës gjykatë i kërkonte Kuvendit të miratonte përcjelljen e dosjes. 

Bledi Çuçi, kryetar i grupit parlamentar PS, u shpreh: “Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është zbatuar 100%. Ua kam lexuar në publik se çfarë thotë vendimi, që kërkon të shfuqizojë dy vendimet e Kuvendit për këtë çështje”.

Deklarata e kreut të grupit parlamentar të PS erdhi në përfundim të Konferencës së Kryetarëve, ku palët nuk gjetën mirëkuptim as sa i përket mocionit me debat për trafikun e narkotikëve që demokratët kërkojnë të zhvillojnë sa më shpejt. Maxhoranca rrëzoi kërkesën e opozitës pavarësisht argumenteve të listuara nga Gazment Bardhi gjatë mbledhjes, të cilat i përsëriti edhe para kamerave: “Mocioni jonë sigurisht që bazohej në të dhëna konkrete të raporteve ndërkombëtare që e listojnë Shqipërinë sa i përket prodhimit të lëndëve narkotike, por edhe si rrugë tranziti të transportit të lëndëve narkotike. Padyshim që ne do i qëndrojmë kërkesës për mocion, është e drejtë e opozitës”.

Në këtë rast, qasja e mazhorancës ishte se çështja konsiderohet e ezauruar me vendime gjykatash dhe debate të mëhershme parlamentare. Çuçi deklaroi: “Mendojmë që duke parë dhe kërkesën e tyre për çështjet që shtrojnë, të gjitha janë të ezauruara, qoftë sa i takon vendimeve të gjykatave, ka njerëz që janë dënuar. Qoftë edhe për vendimet parlamentare, ku ka pasur një komision hetimor për këtë çështje”.

Debati parlamentar për mocionin e opozitës pritet që të zhvendoset edhe në sallën e seancave plenare ditën e enjte, ku demokratët sërish do kërkojnë miratimin e kërkesës së tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos