“Nuk shkoj te kjo protestë”, deputeti i PD: Së shpejti do kemi protestat tona të fuqishme

Nga A2 CNN
13 Qershor 2026, 23:02 | Politikë

Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, deklaroi se nuk ka shkuar asnjë ditë në protestën qytetare pasi, sipas tij, ka qenë mjaftueshëm te protestat e organizuara nga Partia Demokratike.

“Unë për shembull nuk kam qenë asnjë ditë në protestë. Po e them, nuk e shikoj të arsyeshme që të jem pjesë e asaj proteste për arsye se protestoj boll kur bën Partia Demokratike protesta dhe patjetër do të kemi protestat tona shumë të fuqishme, siç i kemi pasur, duke ftuar të gjithë shqiptarët”, tha Baçi në studion e “Terminal” nga Aurora Sulçe, në A2CNN.

Kur u pyet se kur do të rinisin protestat e Partisë Demokratike, Baçi u përgjigj: “Jemi duke përfunduar procesin zgjedhor, me konstituimin e Këshillit Kombëtar dhe zgjedhjen e organeve të tjera drejtuese dhe pastaj do të njoftojmë qytetarët me agjendën tonë, për të qenë transparentë dhe përbashkues me të gjithë”.

Sipas tij, “në protestën qytetare janë me qindra e mijëra demokratë dhe kjo është në të mirë të protestës dhe Shqipërisë”.

“I mbështes me gjithë zemër të rinjve që janë të sinqertë me kërkesat e tyre”, theksoi më tej deputeti demokrat.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos