Numërimi i votave të Diasporës, Balla: Mirënjohje mbi 120 mijë bashkatdhetarëve që mbështetën Partinë Socialiste

Nga A2 CNN
18 Maj 2025, 21:34 | Politikë

Numërimi i votave të Diasporës, Balla: Mirënjohje mbi 120

Taulant Balla ka reaguar me një mesazh falënderimi pas përfundimit të numërimit të votave të ardhura nga jashtë vendit në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Në një postim në rrjetet sociale, Balla e cilësoi votën e diasporës si një akt historik, duke vënë në dukje mbështetjen masive që shqiptarët jashtë vendit i dhanë Partisë Socialiste dhe kryeministrit Edi Rama.

“MIRËNJOHJE DIASPORA kuqezi! Mbi 120 mijë shqiptarë e shqiptare, pothuajse dy në tre votues nga jashtë, mbështetën #EdiRama dhe #PartiaSocialiste për ta vendosur flamurin kuqezi në oborrin e Bashkimit Europian. KJO ËSHTË NJË VOTË HISTORIKE”, shkruan Balla, raporton A2 CNN.

Kjo deklaratë vjen në një moment kur është mbyllur numërimi i mbi 197 mijë zarfeve të ardhura me postë nga votuesit shqiptarë jashtë vendit, me një pjesëmarrje prej rreth 80% të regjistruarve. Sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së, Partia Socialiste ka marrë mbi 122 mijë vota nga diaspora, duke siguruar mbi 61% të mbështetjes, shumë përpara Partisë Demokratike dhe subjekteve të tjera.

Vota e diasporës ka qenë vendimtare edhe për ndarjen e mandateve në disa qarqe, si Vlora dhe Fieri, ku Partia Socialiste siguroi mandate shtesë falë mbështetjes nga jashtë.

Për Ballën, kjo mbështetje masive nga diaspora nuk është thjesht një rezultat elektoral, por edhe kurorëzimi me sukses i një misioni, ku ai ishte drejtuesi politik i diasporës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos