Përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, tha se procesi i votimit të Diasporës, veçanërisht në Greqi, është minuar nga parregullsi të shumta, çka sipas tij e bën atë të pavlefshëm.
“Kemi parë rezultate nga votat e Diasporës në Greqi të cilat do të turpëronin edhe bastionet më të thekura socialiste. Rezultate që e japin PS në çdo kuti votimi me një maxhorancë me mbi 90%. Në raste të caktuara, si në Berat dhe Gjirokastër, kemi pasur rezultate 98% për PS dhe pjesa tjetër për partitë e tjera, rezultate këto që do të turpëronin edhe kohën e Diktaturës. Për fat të keq, vota e Diasporës është manipuluar në mënyrë të frikshme. Një proces tërësisht të përçudnuar që nuk përfaqëson vullnetin e bashkëkombësve tanë, veçanërisht në Greqi”, tha Kaso nga Parku Olimpik, ku po numërohen votat e Diasporës, raporton A2 CNN.
Ai shtoi se të gjitha parregullsitë janë denoncuar jo vetëm nga PD, por edhe shoqatat e Diasporës. “Jemi njohur edhe me shoqata të Diasporës që kanë kallëzuar procesin në SPAK, kanë kallëzuar me emër dhe mbiemër drejtues të Partisë Socialiste. Kemi pasur mijëra denoncime që para se të mbyllej procesi. Është denoncuar fakti që zarfet nuk u kanë mbërritur në shtëpi dhe kur kanë shkuar në zyrat postare për t’i marrë i gjenin zarfet sikur ishin plotësuar. Kemi pasur dhjetëra raste të dokumentuara të shkeljes së kontratës nga operatorët postarë të nënkontraktuar nga DHL, të cilët kanë bërë gjithçka në kundërshtim me garancinë bazë të procesit. I gjithë procesi i Greqisë është nul dhe bie poshtë”, shtoi ai. (A2 Televizion)