Nga qelitë e burgut 313 në Tiranë, ish-presidenti i Republikës, Ilir Meta, shuan zërat se mund të fitojë mandat në Kuvend përmes dorëheqjes së kandidatëve fitues të Partisë së Lirisë.
Përmes një postimi në Facebook, Meta, falenderoi 8 mijë votuesit e tij, që sipas ish-presidentit, i rezistuan presioneve të jashtëzakonshme të Narkoshtetit dhe nuk e shitën as lirinë, as shpirtin dhe as karakterin përballë një makinerie kriminale shtetërore, që cënoi rëndë standardet e zgjedhjeve, demokracinë dhe shtetin e së drejës.
Duke i ndarë në dashamirës dhe djallëzorë zërat sugjerues për të hyrë në Kuvend përmes dorëheqjes së kandidatëve të PL në listën e mbyllur të Tiranës, Meta nënvizoi se nuk do të përdorte asnjë marifet.
“Dua t'i siguroj të gjithë se Ilir Metaj që nga viti 2008, që kur u bënë ndryshimet e mbrapshta kushtetuese, ka luftuar për përfaqësim vetëm nëpërmjet vullnetit të lirë dhe të hapur të qytetarëve, në mënyrë të vazhdueshme dhe parimore, sepse kjo është çështje e bindjes dhe karakterit tim dhe si pasojë nuk mund të pranoj asnjë marifet apo zgjidhje pragmatiste që shkon në kundërshtim me kauzat madhore për cilat unë kam luftuar dhe do luftoj gjithmonë. Dëshiroj të falenderoj dhe vlerësoj Tedi Blushi, dhe kolegët e tjerë në Partinë e Lirisë të cilët luftuan me përkushtim në këtë fushatë të pabarabartë përballë Narkoshtetit dhe makinerisë së tij zgjedhore kriminale, pabesive dhe thikave pas shpine”, shkruan Meta, raporton A2 CNN.
Ish-presidenti i përcolli falenderime edhe komisionerëve, numëruesve e vëzhguesve, për këmbënguljen në numërimin dhe mbrojtjen e çdo vote. (A2 Televizion)