Kryeministri Edi Rama ka sulmuar ditën e sotme opozitën nga Sheshi Skënderbej, ku u mbajt mitingu për hapjen e fushatës së Partisë Socialiste.
Duke përdorur një gjuhë përtej normales, Rama i cilësoi drejtuesit e opozitës si pjesë të asaj që ai e quan ‘Këneta Madhështore’, duke vijuar më tej me epitete si ‘shitës të qilimave fluturues të pazarit të moçaleve’.
Shefi i ekzekutivit tha gjithashtu se Shqipëria dhe shqiptarët në 11 maj kanë 2 rrugë, ose të votojnë PS-në për të futur vendin në Bashkimin Europian, ose të votojnë për ta çuar vendin në gropë.
Pjesë nga fjala e Ramës:
Sot është dita dhe ky muaj i ndarë mes prillit e majit është koha që ne të nisim jo fushatën elektorale të radhës, po kuvendimin e madh të maleve e të fushave, të qyteteve e të fshatrave, të shqiptarëve e shqiptareve, përtej të majtës e të djathtës, matanë barrikadave partiake e dasive të vjetra, për Shqipërinë zonjë në sofrën e madhe të Familjes së Bashkuar Europiane.
Sa më të bashkuar e sa më të vetëdijshëm për fatin që na ka ardhur në dorë, por jo përgjithmonë, sepse takimet me historinë nuk presin dhe as shtyhen dot sipas qejfit tonë, ne duhet t’i shkojmë rrugës së hapur të fatit pa paragjykime për njëri-tjetrin dhe pa tundime për budallallëqet e radhës, nëse duam t’i japim fund historisë së një populli të dorës së dytë, të nëpërkëmbur e të përjashtuar nga fati i vet, dhe t’u dorëzojmë fëmijëve tanë e për të gjithë brezat që vijnë, një vend brenda kufijve të Bashkimit Europian, ku me shqiptarit, italianit, grekut apo gjermanit, të mos ketë më asnjë dallim e asnjë shans për ta parë shqiptarin nga lart poshtë.
Shqipëria sot nuk është gjëkundi njësoj me atë që ishte kur ne morëm detyrën, në asnjë fushë e askund tjetër, përveçse në kënetën e opozitës e të mediave rreth saj, të cilat janë edhe më keq se sa atëherë kur ne morëm detyrën.
Por s’ka asnjë dyshim, se Shqipëria sot nuk do të jetë gjëkundi njësoj me Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian. Në asnjë fushë e drejtim, e mbase edhe këneta opozitare do të jetë tharë deri atëherë, po kjo është e vetmja gjë që e ka në dorë pakica dhe jo shumica e shqiptarëve.
Shqipëria 2030 do të jetë një Shqipëri e re, një vend me një tjetër pozicion e fuqi, një shtet anëtar i një familjeje të madhe lirish, të drejtash dhe mundësish që ne sot nuk i kemi akoma, e që as nesër s’mund t’i kemi pa u bërë pjesë e asaj familjeje.
Në atë familje liria individuale e shqiptarëve nuk do të mund të vihet kurrë në diskutim, nga asnjë qeveri a i parë qeverie këtu në Shqipëri, sepse kush hyn në atë shtëpi nuk luan dot më kukamçefthi me qytetarët e vet.
Prandaj edhe në atë familje askush nuk e ve dot më në pikëpyetje barazinë para ligjit për qytetarët e vet, të cilën ne, socialistët e progresistët e Shqipërisë, e kemi sjellë për herë të parë si zhvillim real, konkret, aktual, në jetën shqiptare, ku s’ka pasur barazi para ligjit e as drejtësi të pavarur qysh nga viti 1912, prandaj edhe qysh nga viti 1912 e deri pak vite më parë, s’ka pasur kurrë një individ të veshur me pushtet politik që të jetë hetuar, gjykuar apo dënuar nga prokurorë e gjykatës të pavarur nga qeveria.
Por ama barazinë para ligjit populli shqiptar nuk mund ta lerë në dorën qeverive e të të parëve të qeverisë këtu, po duhet ta marrë vetë në dorë, ta mbrojë me të gjithë forcën e vullnetit të vet, duke filluar nga 11 maji, ku zgjedhja nuk është mes ca partive, po mes Shqipërisë 2030 në BE me ne dhe Shqipërisë drejt e në gropë përsëri, me kënetën madhështore e me shitësat e qilimave fluturues të pazarit të moçaleve të vegjël rreth saj, që kanë edhe ca emra qesharakë; jo bëhet jo s’bëhet, jo mundet jo s’mundet, jo bashkë jo veç… (A2 Televizion)