Kryeministri Edi Rama i ka ftuar shqiptarët që të votojnë për Partinë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit, me qëllim futjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Komentet Rama i bëri gjatë fjalës së tij në hapjen e fushatës së Partisë Socialiste në Sheshin Skënderbej në Tiranë, ku tha se Zonja Shqipëri duhet të jetë në sofrën e BE-së.
Ai shtoi gjithashtu se Shqipëria dikur ka qenë si Azia dhe nuk kishte asnjë lidhje me Europën, teksa foli edhe për Skënderbeun, të cilin e quajti profetin e dërguar nga Zoti për shqiptarët.
Pjesë nga fjala e Ramës:
Ishte e thënë që fati ynë të na sillte në një përballje të tillë, si përfundimtare, me historinë tonë të mundimshme, duke na e dhënë neve, shqiptarëve të dekadës së tretë të shekullit XXI, shansin t’ia ndryshojmë përgjithnjë rrjedhën historisë.
Tamam këtu, tamam tani, mu në një kryqëzim mes një palë zgjedhjesh politike, për partinë që do të qeverisë katër vjet dhe një mundësie historike, për Shqipërinë që në katër vjet mund të bëhet zonjë anëtare e familjes së bashkuar europiane, ne, kemi në dorë fatin europian të Shqipërisë dhe kemi 30 ditë përpara, për t’u lidhur dorë për dore me çdo shqiptar që e do zonjën Shqipëri në sofrën e BE-së, e veten e vet qytetar të barabartë të Europës.
Prandaj edhe është ndryshe nga plot herët e tjera, mbledhja jonë sot, këtu në këtë shesh, ku qëndron dëshmitar dhe udhërrëfyes stoik shëmbëlltyra e bronxtë e profetit tonë kombëtar, hipur mbi kalin e historisë së shqiptarëve.
Ka thënë dikur një mendimtar europian:
“Nëse është e vërtetë, siç e pohon edhe vetë Kurani, se Zoti i ka dhuruar çdo populli një profet në gjuhën e tij, Shqipëria pati te Skënderbeu, profetin e pavarësisë së saj, heroin që mbolli farën e madhështisë dhe fateve të lume të kombit të tij”.
Nën këmbët tona, me qindra e mijëra pllakëzat e sheshit Skënderbej, rrëfejnë hijen e gjatë të qenies tonë shqiptare nga njëri cep i vendit në tjetrin, e përtej;
tokën e zhuritur nga gjaku, lotët dhe djersa e shqiptarëve në shekujt e shumtë të ekzistencës së tyre;
dinjitetin e saj burrnor e hijeshinë e saj amësore;
rrëfejnë një copë martire të trupit të Europës, dëshmitare kobesh të padëgjuara dhe përtëritjesh që nuk kanë të dytë nga njëri cep i kontinentit në tjetrin, e përtej.
Rreth 100 vjet më parë, një udhëtar europian shkruante, se ndonëse pak orë lundrimi e ndanin Italinë nga Shqipëria, teksa zbrisje në brigjet e saj do të kishe vënë bast se ky vend nuk ishte Europë, por Azi.
“Të thoshe se Shqipëria ndodhet në Azi, çdo profesor do të të vinte notën zero në gjeografi, por sensi i realitetit do të të kishte vënë 10”, thotë ai. (A2 Televizion)