Olsi Rama në SPAK, Bardhi: Drejtësia e re të na tregojë se në Shqipëri nuk ka persona të paprekshëm

Nga A2 CNN
28 Qershor 2024, 14:53 | Politikë

Olsi Rama në SPAK, Bardhi: Drejtësia e re të na tregojë se

Pas thirrjes në SPAK të Olsi Ramës, kreu i grupit të PD-së, Gazment Bardhi tha se vëllai i kryeministrit nuk bëri gjë tjetër veçse mashtroi. Sipas Bardhit, me deklaratat që Olsi Rama bëri në derën e SPAK,  konfirmoi denoncimet e tij, se ka udhëtuar me makinën e trafikantëve të drogës, dhe jo një herë, por 7 herë.

Një mesazh e pati edhe për SPAK, duke thënë se ka ardhur momenti për të treguar se në Shqipëri nuk ka persona të paprekshëm!

“Të sillesh si budalla përpara derës së SPAK-u është një strategji e gabuar që nuk të shpëton nga e vërteta! Të thuash që ke përdorur makinën e trafikantëve të drogës, por trafikantët nuk i njeh, është një gënjeshtër banale.

 Olsi Rama konfirmoi përpara derës së SPAK gjithçka kam denoncuar për të. Deklarimet e tij publike janë e vërteta më e madhe e kësaj çështjeje: “Një herë deklaroi se njeh njërin nga trafikantët, sot tha nuk njoh asnjërin. Një herë s’kam udhëtuar me narkomakinën, sot tha kam udhëtuar vetëm një herë”.

Por, sot vëllai i vogël i Edi Ramës gënjeu sërish publikisht kur tha se e ka përdorur vetëm njëherë narkomakinën AA 653 DM. Të dhënat zyrtare të sistemit TIMS dokumentojnë të kundërtën, se ai ka përdorur të paktën 7 herë narkoautomjetin AA 653 DM për daljet e tij jashtë vendit gjatë periudhës kur ndërtohej laboratori i drogës në Xibrakë.

Gënjeshtra e ditës dhe alibitë nuk janë as mjet mbrojtës dhe as zgjidhje. E vërteta ndodhet në procedimin penal 335/1-2016 që u tentua të varrosej nga prokuroria, por që sot mban numrin 88-2024! Inkurajoj SPAK t’i shkojë me guxim deri në fund të vërtetës, duke na provuar se në Shqipëri nuk ka persona të paprekshëm”, shkruan Bardhi.

Pak javë më parë, Bardhi bëri një denoncim publik ku pretendonte se Olsi Rama ishte i përfshirë në organizatën kriminale të Xibrakës, duke i dërguar një letër më pas kreut të SPAK, Altin Dumanit, për të nisur hetime për këtë çështje. Këto akuza, Olsi Rama i quan shpifje, teksa kundërpërgjigjen e ka marrë edhe nga kryeministri Edi Rama, që e ka konsideruar si një gënjeshtër. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos