Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha mblodhi në një takim drejtuesit politikë, koordinatorët dhe kryetarët e degëve të PD-së, ku në fokus ishte organizimi i protestës së 8 shkurtit. Berisha ka bërë thirrje për mobilizim të të gjithë qytetarëve dhe strukturave të PD-së për protestën e 8 shkurtit dhe kërkoi që të nisin me takime në të katër anët e Shqipërisë.
“Më datën 8 e gjithë Shqipëria zbret në Tiranë. Takimet me emigracionin dhe diasporën vazhdojnë siç kanë vazhduar. Dhe unë shpreh mirënjohje ndaj të gjithë shqiptarëve në emigracion dhe diasporë për takimet dhe për ju që i keni takuar dhe keni bërë takime shumë të mira. Por tani, po vazhdoi kështu, takimet do përqendrohen totalisht në qytetet me ambasadat shqiptare dhe ambasadat e narkoshtetit do kenë ditë të vështira. Ftoj emigracionin dhe diasporën të vendosin komunikime urgjente me parlamentarët e tyre, të denoncojnë përjashtimin e tyre nga qeveria shqiptare nga e drejta e votës. Duhet që nesër të nisim punën, takime në të katër anët e Shqipërisë. Të merrni masa, të siguroni mundësi transporti, Tirana duhet të njohë protestën më të madhe në gjithë ekzistencën e saj”. (A2 Televizion)