Bizneset e vogla dhe të mesme në Shqipëri do të kenë në dispozicion 4750 pajisje të reja për pagesat elektronike. Pajisjet do të dhurohen nga MasterCard në kuadër të projektit për dixhitalizimin e pagesave në Shqipëri, ku do të shpërndahen në bare, restorante, hotele, taksi etj.
Kryeministri Edi Rama i pranishëm në aktivitetin ku u zyrtarizuar zbatimi i projektit të MasterCard, pohoi se biznesi shqiptar e ka mirëpritur këtë program dhe tregoi lehtësirat që do të kenë.
“POS-e i thonë këta, por për ata që nuk e dinë janë terminale pagese, janë ato mrrokllat e pagesave. MasterCard ka dhe një limit të caktuar për përdoruesit e këtyre mrrokllave, nuk do pagujanë ansjë komsion deri në një prag vjetor të caktuar. Mbi pragun pasataj fillon komisioni”, tha kryeministri.
Drejtori për Evropën i MasterCard, Mark Barnet, tregoi se programi nis në 1 maj dhe shpjegoi benefitet që do të kenë bizneset dhe qytetarët.
“Programi do të mbështesë tregtarët në dyqane, restorane, bar kafe, taksi etj., me terminale më të aksesueshme të pagesave përmes partnerëve tanë bankar dhe programi nis në 1 maj”, u shpreh Barnet.
Kreu i qeverisë pohoi se pas ardhjes së MasterCard në Shqipëri do të kërkojë edhe viza që të jetë prezente, por shtoi se tani nuk do ta ketë shumë të lehtë.
“Tani shpresoj që pas ardhjes do kemi mundësinë që të presin edhe VISA-n në Shqipëri, se nuk do rrinë pa ardhur. Se kur i kemi thënë hajdeni, thonin nuk është Shqipëria shumë interesante për ne akoma. Tani që Shqipëria u bë interesante erdhi MasterCard. Tani VISA duhet ta dijë që ne jemi në krahun e MasterCard, VISA duhet ta dijë që do të kenë një vështirësi më të lartë për të bërë marrëveshje me ne”, deklaroi kreu i qeverisë.
Rama njëzëri me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë u bënë thirrje bankave ta mbështesin këtë proces, pasi sipas tyre në këtë mënyrë kursehen para dhe shmanget informaliteti. (A2 Televizion)