Vetëm pak orë para protestës së opozitës, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për shtyp komentoi raportin e Parlamentit Europian, për të cilin tha se konfirmon të gjitha denoncimet që opozita ka bërë ndër vite për situatën në vend.
“Është një dokument jo i një organizate të qendrës së djathtë apo të majtë, por i të gjithë spektrit politik, i cili sanksionon një për një ato që ne kemi denoncuar. Sanksionon përjashtimin e opozitës nga procesi i integrimit, përjashtimin e qytetarëve nga procesi i integrimit. Paralajmëron se ky proces nuk mund të jetë kurrë pronësi e ekzekutivit dhe se Parlamenti duhet të jetë forumi qendror i këtij procesi. Unë shpreh keqardhjen time më të madhe dhe dënoj këtë qëndrim të papërgjegjshëm të mafies mediatike shqiptare”, tha Berisha, shkruan A2.
Gjatë deklaratës së tij, Berisha akuzoi qeverinë dhe për ndërhyrje politike në sistemin e drejtësisë, duke pretenduar se lirimi i Mirlinda Karçanajt nga arresti shtëpiak është rezultat i kontrollit të drejtësisë nga kryeministri Edi Rama dhe figura të lidhura me Partinë Socialiste.
“Jam këtu për të dënuar me forcën më të madhe aktin më të papërgjegjshëm, dëshminë flagrante të kontrollit të plotë të drejtësisë nga Edi Rama, nxjerrjen nga arresti i shtëpisë të Mirlinda Karçanajt dje nga ish-ministri i PS-së, Ilir Panda. Dhe Edi Rama, pasi mbylli çështjen Balluku duke përdorur 83 votat e krimit, ia doli nëpërmjet Ilir Pandës, ish-ministër socialist, të nxjerrë nga arresti shtëpiak një eksponent të grupit të strukturuar kriminal”, u shpreh Berisha.
Në përfundim, kreu demokrat u bëri thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës, ndërsa theksoi se opozita ndodhet në “kilometrin e fundit” drejtarritjes së objektivit të saj politik: “Vala e protestave të opozitës nuk ndalet kurrë deri në realizimin e qëllimit tonë. Shpallja jonë se jemi në kilometrin e fundit, shënon gjithashtu detyrimin tonë për ta përshkuar me çdo çmim dhe çdo kusht këtë kilometër deri në fitore”.
Ndryshe nga tubimet e mëparshme, këtë herë nuk do të ketë fjalime politike, por vetëm marshim proteste në bulevardin përballë Kryeministrisë, e cila është paralajmëruar në orën 19:00. (A2 Televizion)