Paralajmërimi i Ambasadës së SHBA, Lamallari: Prej kohësh kemi marrë masa të shtuara sigurie

Nga A2 CNN
2 Prill 2026, 10:41 | Politikë

Paralajmërimi i Ambasadës së SHBA, Lamallari: Prej kohësh

Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari ka reaguar në lidhje me paralajmërimin e dhënë një ditë më parë nga Ambasada Amerikane në Tiranë për sulme të mundshme nga Irani.

Lamallari thekson se Antiterrori dhe strukturat e tjera në Policinë e Shtetit janë vënë në komunikim me zyrën e sigurisë së Ambasadës së SHBA. Duke folur në Kuvend, ai vë në dukje se deri më tani nuk ka asnjë informacion konkret për një situatë rreziku real.

"Dua të sjell në vëmendje dhe të ndaj disa informacione me qytetarët. Fakti i parë, jo më larg se mbrëmjen e djeshme, u kam kërkuar strukturave të Policisë, konkretisht strukturave të Antiterrorit, të Departamentit të Sigurisë Publike dhe Policisë Kriminale, të jenë në komunikim me zyrën e Sigurisë së Ambasadës Amerikane, nga të cilat me përgjegjësi të plotë konfirmoj se është komunikuar, e nuk ka asnjë informacion konkret, qoftë edhe inteligjencë, për një situatë rreziku real. Së dyti, kjo është në vazhdën e të gjitha postimeve, deklaratave që bëhen standard në të gjitha vendet e botës ku ka shqetësime të ndryshme. Shqipëria dhe Policia e Shtetit prej disa kohësh kanë marrë masa të shtuara sigurie, jo lidhur me postimin e djeshëm, por prej disa kohësh, dhe kjo bazuar në zhvillimet ndërkombëtare që ndodhin. Konkretisht me konfliktin e armatosur dhe luftën në Lindjen e Mesme, ku sigurisht janë të angazhuara maksimalisht Policia e Shtetit, strukturat e Antiterrorit, Policisë Kriminale, FNSH-së dhe sigurisë publike, duke qenë në komunikim të vazhdueshëm me të paktën dy ambasada në vend", tha Lamallari.

"Pra, ky është një fakt që nuk ka lidhje me postimin e djeshëm, ka nisur kohë më parë dhe ka një vlerësim nga Policia e Shtetit lidhur me rreziqet e mundshme të terrorizmit apo elementëve të tjerë kriminalë. Ka edhe një plan veprimi, i cili bën bashkë me detyra specifike çdo strukturë përgjegjëse në Policinë e Shtetit", vijoi ministri i Brendshëm.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos