Paralajmëron padi, Berisha i përgjigjet deputetit gjerman: Të pres në sallën e gjyqit

Nga A2 CNN
28 Tetor 2023, 16:11 | Politikë



Sali Berisha shfrytëzoi një komunikim me ndjekësit në rrjetet sociale për t’ju kundërpërgjigjur deputetit gjerman Gunther Krishbaum. Duke i kujtuar lidhjet me Lulzim Bashën, Berisha i quajti të gjitha deklaratat e Krichbaum si mashtrime dhe e paralajmëron se me të do përballet në gjykatë.

 “Unë e garantoj Gunther Krichbaum se do i jap mundësi në sallën e gjyqit të justifikojë qëndrimin e tij amoral. Ai nuk mund të ndërhyjë në çështjet e brendshme të një partie”, tha ai.

Komunikimin e fundjavës në rrjetet sociale e përdori për të sqaruar pozicionin e tij në raport me hetimet për ish-kompleksin sportiv Partizani, hetime prej të cilave dhëndri i tij është në arrest në burg, ndërsa Berisha në detyrim paraqitje dhe bllokim të lëvizjes jashtë vendit.

Ai e cilëson këtë sanksionim antikushtetues kundër kryetarit të opozitës. Për të forcuar deklaratën e tij solli si shembull rastet Tahiri dhe Bllako nga radhët e socialistëve.

“Edi Rama, Kushtetutën e zbaton për miqtë e tij, për deputetët e tij, dhe jo për deputetët e opozitës që i ka armiq në konceptet e tij mjerane. Pra, një nen i Kushtetutës që vlen për hajdutë si Alqi Ballako, trafikantë si Saimir Tahiri, nuk mund të vlejë për kryetarin e opozitës, Sali Berishën”, tha ish-kryeministri.

Berisha pohoi se hetimet 3-vjeçare kundër tij dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, nuk kanë faktuar asnjë provë kundër tyre. 

 “Janë pyetur me dhjetëra e dhjetëra punonjës. Asnjë prej tyre nuk del të thotë se Sali Berisha më ka bërë presionin më të vogël. Asnjë prej tyre nuk del të thotë se Jamarbër Malltezi shkeli në zyrën time apo më bëri presion”, përfundoi Berisha.

Kreu i Rithemelimit mori në mbrojtje edhe biznesmenin Fatmir Bektashi, duke thënë se akuzat e ngritura ndaj tij janë tym dhe blof i prokurorisë.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos