Ermal Hasimja, në një lidhje direkte me studion e “ÇdoKënd” nga Merita Haklaj, në A2CNN, deklaroi se pse partitë e reja nuk afrohen me Partinë Demokratike.
“Ky është meraku kryesor që kanë partitë e reja dhe të vogla në momentin që afrohen me Partinë Demokratike, në një farë mënyre të paktën atyre u duket, dhe mundet të kenë të drejtë, që u dobësohet ajo narrativa e tyre, u dobësohet fabula e ekzistencës së tyre se në fund të fundit e kanë shpallur që në fillim që janë kundër partive të vjetra, dy apo tre partive të vjetra kryesore, kështu që e kanë këtë lloj meraku”, tha Hasimja.
“Unë këtë e kuptoj se në fund të fundit secili në politikë futet për të arritur të marrë sa më shumë vota, në mënyrë që të realizojë edhe vizionin e vet politik. Thjesht, në rastin konkret ka një gjë që është primare dhe më e rëndësishme, që është çështja e realizimit të një qeverie teknike që eventualisht do të garantonte zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe pastaj mbështetjen e drejtësisë në një moment shumë delikat, ku eventualisht mazhoranca mund të përpiqet që ta kastrojë në një farë mënyre me instrumente ligjore, t'ia heqë kapacitetin për të goditur”, shtoi Hasimja.
(A2 Televizion)