
Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti, deklaroi se Shqipëria ndodhet në një emergjencë kombëtare, ndërsa akuzoi qeverinë se po drejtohet nga antivlera dhe se po dëmton rëndë të ardhmen e brezave të rinj. Gjatë fjalës së tij në tryezën opozitare, Alimehmeti theksoi se emergjenca me të cilën përballet vendi nuk lidhet vetëm me fatkeqësitë natyrore apo paaftësinë e shtetit për t’u përballur me to, por me mënyrën se si, qeveriset Shqipëria.
“Ne jemi në emergjencë kombëtare. Të jemi të qartë, domethënë, nuk po flas këtu për katastrofa natyrore që na godasin ne çdo verë e çdo dimër dhe gjejmë përballë një shtet të paaftë për t’u marrë me to. Jemi në emergjencë kombëtare sepse ne po qeverisemi nga njerëz antikombëtarë. Nga antivlera, nga antimoral. Kjo është e vërteta. Ata po na vjedhin jo vetëm fondet, se flasim shumë për fondet, por na vjedhin të ardhmen e kalamajve tanë. Po vjedhin çdo gjë që përfaqëson ky shtet këtu”, u shpreh Alimehmeti.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të marrin rol aktiv në jetën publike dhe politike, sepse sipas tij, ndryshimi nuk mund të vijë vetëm përmes fjalëve apo debateve në salla konferencash, por përmes veprimit të drejtpërdrejtë dhe angazhimit qytetar.
“Ata që na dëgjojnë, duhet të vendosin, do marrin rolin e spektatorit këtu, apo do marrin rolin e aktorit këtu? Sepse këtu ka nevojë për veprim. Nuk është thjesht çështje që neve t’i themi gjërat. Ata i mendojnë, na japin të drejtë moralisht, po ka nevojë të kuptojmë që ne duhet të shkojmë drejt veprimit”, theksoi ai.
Duke nënvizuar se reagimi qytetar duhet të jetë i fortë, i qëndrueshëm dhe i përshkallëzuar, Alimehmeti theksoi se qeveria nuk mund të rrëzohet vetëm me deklarata, por me mobilizim dhe veprim të organizuar.
“Ne qëndrojmë për familjen. Ne qëndrojmë për lirinë, ne qëndrojmë për besimin, ne qëndrojmë për pronën, ne qëndrojmë për kombin. Ne qëndrojmë për një orientim perëndimor të Shqipërisë, apo jo? Po si qëndrojmë? Duhet të qëndrojmë në çdo prag. Nga pragu i derës, ku e kemi ne detyrë të shkojmë dhe t’ia shpjegojmë dhe të flasim me njerëzit, deri tek pragu i institucioneve, ku duhet të çojmë revoltën e tyre. Kalon përmes rrugës dhe bulevardit kjo? Po patjetër kalon përmes rrugës dhe bulevardit. Por duhet të kalojë në mënyrë të fortë, në mënyrë të qëndrueshme, në mënyrë të përshkallëzuar. Se nuk hidhet kjo qeveri me fjalë. As nga sallat e konferencave nuk hidhet. Hidhet nga atje jashtë, duke vepruar, duke folur me njerëzit dhe së bashku me ty, duke shkuar atje për t’i treguar atyre vendin që meritojnë. Një vend antikombëtar, një person që është antikombëtar, nuk e meriton vendin e tij mes këtij kombi, e jo më mbi këtë komb”, u shpreh ai. (A2 Televizion)