Shkoi për të prezantuar Igli Tafën si drejtuesin e ri të AKSHI-t, por Edi Rama mbrojti me vendosmëri ish-drejtoreshën e larguar, Mirlinda Karçanaj, e cila ndodhet në arrest shtëpie për shkak të përballjes së saj me drejtësinë, e akuzuar për bashkëpunim me grup të strukturuar kriminal.
“Për Linda Karçanajn e njoh si një nga njerëzit më të përkushtuar. Jam i pikëlluar për gjithçka ajo po kalon. Linda është një nënë e vetme me dy fëmijë”, tha Kryeministri, përcjell A2.
Duke e cilësuar si një bashkëpunëtore të ngushtë, Rama shprehu shpresën që ajo t’ia hedhë akuzave të SPAK-ut. “Unë dua të besoj me gjithë zemër që do të dalë e pastër”.
Ashtu si në komunikimet e fundit, nuk munguan as sulmet ndaj një pjese të drejtësisë së re. “Nëse në botën tuaj virtuale eksperimentet bëhen me algoritme, në këtë botën e revolucionit të drejtësisë këto bëhen mbi lëkurën e njerëzve. Nuk është prezumimi i pafajësisë ai që udhëheq, por është prezumimi i fajësisë dhe ky është një element dramatik i këtij procesi”.
Rama nuk e fshehu që akuzat për AKSHI-n kanë ndikuar në stafin e këtij institucioni. Për këtë arsye, ai premtoi mbështetje si morale, ashtu edhe financiare.
“Çfarë nuk të vret, vetëm të forcon. Ka një kosto, patjetër. Kosto janë këto kushte, mund të jetë edhe më e lartë. Është një fatkeqësi shumë e madhe që emri i AKSHI-t të njolloset. Sinqerisht dhe realisht, ju jeni një nga gurët më të pazëvendësueshëm të mozaikut të shtetit shqiptar. AKSHI duhet të jetë jashtë sistemit normal të pagave, për shkak se konkurrenca në këtë fushë është shumë e fortë”.
Kryeministri kishte edhe një përgjigje për ata që kanë pretendime për “Diellën”. “Çfarë është Diella? Diella është një produkt i Enios, i Lindës dhe i të tjerëve këtu që punojnë me ta”.
Pavarësisht hetimeve, puna e AKSHI-t do të vijojë për zhvillimin e inteligjencës artificiale, tha Rama, edhe në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë në këtë fushë. (A2 Televizion)