
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi arkitekturën e re parlamentare të miratuar në mënyrë të njëanshme nga socialistët në nisje të kësaj legjislature, shumica parlamentare ka depozituar në Kuvend draftin e ri se si duhet bërë ndarja e Komisioneve.
Në rregulloren e re të Parlamentit të depozituar nga socialistët, kërkohet që të jenë 11 komisione. Ndërkohë kërkohet që në seancë plenare, deputetët të mos flasin më shumë se 5 minuta, nga 10 minuta që është aktualisht koha e lejuar.
Në draftin e siguruar nga A2 CNN që mban firmën e kreut të grupit parlamentar socialist Taulant Balla dhe dy deputetëve të tjerë, Erjon Malaj dhe Erjon Mile, parashikohet gjithashtu që projektligjet që lidhen me procesin e integrimit evropian dhe zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit të shqyrtohen me procedurë të përshpejtuar.
Ndryshimet përfshijnë edhe forcimin e kontrollit post-legjislativ dhe rregulla të reja për raportimin e institucioneve të pavarura dhe trajtimin e nismave qytetare.
Gjykata Kushtetuese pas kërkesës së demokratëve rrëzoi ndarjen aktuale të komisioneve, pasi sipas trupës së gjyqtarëve nuk ishte ndjekur procedura e rregullt parlamentare për miratimin e rregullores së re.
(A2 Televizion)