Shtohen kushtet e integrimit, BE kritika për zgjedhjet: Financimi i partive, kusht themelor

Nga Ervin Koçi
3 Mars 2026, 15:33 | Politikë

Ndërkombëtarët duken më të interesuar për reformën zgjedhore sesa vetë partitë politike. Në tryezën e radhës të organizuar nga OSBE-ODIHR dhe Bashkimi Europian, u kërkua ndryshimi i ligjit për financimin e partive politike, çështje e cila vijon të mbetet thembra e Akilit e proceseve zgjedhore në Shqipëri, ku paratë e pastra miksohen me ato të pista dhe duke e lidhur direkt me procesin e integrimit në BE.

“Financimi është vërtetë parakusht për procesin e anëtarësimit në BE reforma zgjedhore sidomos sa i përket financimit të partive dhe fushatave mbetet një përparësi vendimtare në kuadër të kornizës së BE dhe patjetër që lidhet me themelorët”, tha ambasadori i Delegacionit të BE-së, Silvio Gonzato.

Kreu i Delegacionit të BE-së në Tiranë nuk i kurseu kritikat publike për socialistët duke ia cituar në sy raportin e ODIHR.

“Raporti i ODIHR foli për parinë në pushtet që përfiton nga përdorimi i burimeve administrative duke krijuar një avantazh ndaj atyre që janë në detyrë dhe kjo është një pikë kyçë që ka nevojë që të trajtohet”, u shpreh ambasadori i Delegacionit të BE-së, Silvio Gonzato.

Por integrimi duhet të plotësojë edhe kushte të tjera, si zbatimi i strategjisë antikorrupsion sidomos në prokurimet publike.

“Këtë vit ka një fokus shumë të fortë për të garantuar që Shqipëria të marrë përsipër një zbatim efektiv të strategjisë së vetë antikorrupsion si prokurimi publik që duhet natyrisht që të ketë në fuqi të gjitha garancitë e nevojshme për të siguruar që të gjithë donatorët partiak të mos kenë kontrata të dhëna nga qeveria përmes proceseve të vakëta apo të manipuluara”, deklaroi ambasadori i Delegacionit të BE-së, Silvio Gonzato.

Dy bashkëkryetarët e reformës zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi duket se kishin pasur një bashkëpunim produktiv kohët e fundit duke dalë me një draft konsensual.

“Pavarësisht se ky ligj është me 71 vota, kemi vendosur të bëjmë një drat të përbashkët me qëllim që ky ligj të mos ketë inate partizane apo të mos paragjykohemi, përkundrazi të kemi rregulla të përbashkëta. Dhe mbi të gjitha të parandalojmë ato fenome siç mund të jenë financime nga burime të papranueshme, qoftë nga bota kriminale, qoftë nga interesa biznesi”, deklaroi deputeti socialist Damian Gjiknuri.

“Kanë dhënë prova sesi është abuzuar për të cenuar plurarizmin politik, por kjo nuk është tema e sotme. Tema e sotme është pikërisht sesi ne të ndërtojmë një sistem financime, transparnce të financimi i cili prodhon plurarizëm dhe jo një regjim financiar i cili do të ekspozonte partitë politike, kryesisht ato të opozitës, karshi instrumetave kontrollues dhe represiv të një shteti të kapur dhe të kontrolluar apo të një shteti që ka hyrë për të pushtuar zgjedhjet”, u shpreh deputeti demokrat Oerd Bylykbashi.

Por partitë nuk kanë kohë për t’u vonuar, gjë të cilën e evidentoi edhe ambasadori i OSBE Michel Tarran.

“Reforma efektive ka nevojë jo vetëm për përbërësit cilësore por edhe të miratohet në kohën e duhur për të siguruar zbatimin kuptimplotë të saj”, u shpreh ambasadori Tarran.

Komisioni i reformës zgjedhore ka mandat deri në fund të muajt korrik dhe mes çështjeve të tjera që është angazhuar për të shqyrtuar janë edhe zonat zgjedhore dhe numrin e mandateve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos