Qëndrimet e deputetit të Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi në lidhje me raportin e politikës shqiptare me SHBA-në, u bënë pjesë e debatit mes tij dhe gazetarit Aulon Kalaja në studion e Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN. Kalaja e akuzoi Muçin se ka një qasje komuniste me sytë nga Vietnami dhe Kuba, ndërsa mbrojti proamerikanizmin e shqiptarëve. Sipas gazetari Kalaja nuk mund të quhet servilizëm, pasi shqiptarët e kanë zgjedhur me gjak këtë orientimin proamerikan.
Nga ana tjetër, Muçi deklaroi se diplomacia shqiptare është në nivel qesharak dhe se Rama e Berisha veprojnë të shtyrë nga interesa personale, për të shpëtuar kokat e tyre, duke shpresuar se SHBA mund të ndikojë në sistemin e drejtësisë për t’i shpëtuar hetimeve. Sipas tij servilizmi, i përket lidershipit politik dhe jo qytetarëve shqiptarë, duke theksuar se duhen analizuar pasojat që vendimet ndërkombëtare sjellin për Shqipërinë.
Pjesë nga debati Muçi-Kalaja në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN
Muçi: Diplomacia shqiptare është në nivel qesharak se të tillë e kanë bërë liderët që kanë udhëhequr vendin. Fakti që kanë qenë amerikanët që kanë financuar sistemin e drejtësisë dhe ky sistem po nxjerr afërta korruptive të Ramës e Berishës bën që pozita e këtyre dy liderëve është e tillë që të shohin interesin personal të duan të shpëtojnë kokën e tyre dhe kjo interesin kombëtar, kjo dhe në konteksin e ishullit të Sazanit dhe turravrapin për t’u aderuar në një bord.
Kalaja: Të quash servilizëm proamerikanizmin e shqiptarëve, nuk di çfarë emri ti vë. Shqiptarët e kanë vendosur këtë gjë me gjak.
Muçi: Kush e tha këtë?
Kalaja: Ti e the.
Muçi: Fola për Berishën e Ramën që duan të shpëtojnë kokat e tyre, nëse këtë ma kthen që shqiptarët që duan Amerikën quhen servil?
Kalaja: Këtë e thua ti që këta zotërinjtë përfaqësojnë veten e vet dhe jo kaq mijë vota që kanë marrë aty. Këta njerëzit që kanë votuar janë proamerikanë. Nuk është servilizëm ky.
Muçi: Servilizmi është i Berishës e Ramës se duan të shpëtojnë kokën e tyre.
Kalaja: Si do shpëtojnë kokën e tyre duke qenë servil ndaj Amerikës
Muçi: Duke shpresuar që Trump, do ndikojë te sistemi i drejtësisë në Shqipëri për të mos shkuar deri në fund hetimet ndaj Ramës dhe duke shpresuar heqjen e non gratës së Berishës që ka paguar 6 mln dollarë.
Kalaja: E gjithë tentativa e zotërisë që duhet të jemi me BE çon ujë te kjo gjë. Këta u munduan të na bashkojnë me Kubën dhe Vietnamin.
Muçi: E ka ftuar Trumpi edhe Kubën dhe Vietnamin në bordin e paqes dhe kanë pranuar.
Kalaja: Trumpi është CEO, më i madhi dhe Trumpit i duhen të gjithë. Është njeriu që po prodhon paqe në botë. Kjo është fuqi. Nuk është interesi i shqiptarëve të lidhet me Kubën, por me SHBA. Po sulmoni SHBA.
Muçi: Po sulmoj SHBA pse thashë se duhet të kuptojmë pasojat që sjell për Shqipërinë? Ky është servilizëm dhe nuk është në të mirë të popullit shqiptar. (A2 Televizion)