Gazetari Aulon Kalaja, i ftuar në studion e “Off the Record" nga Andrea Danglli, në A2CNN, komentoi vizitën e vajzës së Presidentit amerikan, Donald Trump, në Kryeministri.
“Domethënë, në Davos ishin mbledhur krejt burrat e shtetit, kurse në Vlorë janë mbledhur ata që bëjnë biznes. Pra, kemi arkitektë, kemi inxhinierë, kemi njerëz që merren me biznes. Çfarë dobie kemi ne nga kjo histori tani? Unë nuk komentoj gazetarinë rozë. Ne as nuk kemi inat, as nuk kemi ndonjë qejf të madh që takohet Rama me Ivanka Trump. Problemi është se çfarë dobie ka Shqipëria në këtë rast? Politikanë që do i përdorin vizitat e fëmijëve të Trump do kemi në Shqipëri dhe në botë, por këtij u duhet sepse mosprezenca e tij në Davos do duhej të kompensohej patjetër me vitaminën T, që është vitamina Trump. Pra, një Trump do duhej që ta mbulonte atë që ndodhi në Davos”, tha Kalaja.
Ndërsa politologu Leonard Olli u shpreh kështu për këtë vizitë: “Ivanka Trump mund të ketë shkuar për çfarë të dojë në Kryeministri. Mbetet një pritje private sepse ju thashë që në fillim, po anashkaloni protokollet. Pra, Davos është një protokoll shtetëror, është një takim i përvitshëm ku mblidhen liderët e botës dhe diskutojnë me qindra e qindra probleme ku janë dhënë dhe në shumë raste zgjidhje. Këtë here, një zonjë e nderuar, në rolin e biznesmenes, po pritet nga Kryeministri i Shqipërisë, nuk duhet të përbënte as lajm, as pamje, me përjashtim të gossip-it. Pra, duhet të ishte një lajm gossip, sepse ajo zonja nuk ka ndonjë funksion zyrtar, nuk është pjesë e protokollit dhe nuk di që të jetë e shoqëruar apo të kemi njoftim nga Kryeministria që është e shoqëruar edhe nga përfaqësues të Ambasadës Amerikane. Pra, pavarësisht se është e bija e Presidentit, ne duke qenë shqiptarë dhe duke i shqiptarizuar gjërat që “nusja e kryeministrit”, “djali i kryeministrit” janë ekuivalent me kryeministrin, ngatërrojmë që edhe në rastin konkret ajo është vajza e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, por këtu nuk ka ardhur me ndonjë funksion apo ndonjë mision të ngarkuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara. Këtu ka ardhur për një vizitë personale. Është një pritje private që kryeministri i bën një zonje të caktuar”.
(A2 Televizion)