PD i është rikthyer denoncimeve për inceneratorin e Tiranës. Nga selia blu, Belind Këlliçi publikoi një propozim të Bankës Botërore në 2014 për pastrimin e kryeqytetit, që sipas analizës së demokratëve qytetarëve të Tiranës do t’u kushtonte 2.5 herë më pak se sot. Sipas Këlliçit hetimet e SPAK për inceneratorin e Tiranës pritet të përfundojnë në fund të Gushtit.
“Një kopje origjinale të studimit të BB dhe IFC në shkurt 2014, propozim që i ka ardhur Bashkisë së Tiranës në kohën që drejtohej nga PD. Ky propozim që ka ardhur në atë periudhë, që kishte tarifën 38 euro për ton, ishte për pastrimin e qytetit dhe rrugëve, mbledhjen e transportin e mbetjeve, zgjerimin e landfillit të Sharrës për një depozitim afatgjatë, depozitimin e mbetjeve në landfill dhe përpunimi dhe trajtimi i mbetjeve.
Sot që flasim paguajmë 29 euro për ton për një incenerator që nuk ekziston dhe kjo tarifë është rreth 12 milionë euro në vit.
Dhe bazuar në të dhënat zyrtare të Bashkisë së Tiranës, vetëm për pastrimin e qytetit, ne kemi paguar vetëm vitin e kaluar 16.7 milionë euro.
Me një llogari fare të thjeshtë, totali shkon në 66.8 euro për ton. Kjo ka të bëjë për pastrimin e qytetit.
Shtuar këtu edhe 29 euro për ton, tarifën e inceneratorit ku pronar faktik, e thënë kjo nga ish-numri dy i qeverisë, Arben Ahmetaj, se Erion Veliaj është pronari faktik, totali shkon në 95.8 euro për ton.
Por nëse SPAK ka ende vështirësi për këtë material ekskluziv, do ia depozitojmë me firmë dhe vulë SPAK-ut për t’i ardhur në ndihmë organit të akuzës”. (A2 Televizion)