Përmes metaforës dhe ironisë ish-presidenti Bamir Topi zgjodhi të komentojë situatën politike në vend dhe konkretisht atë që po ndodh në Partinë Demokratike. Në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, ish-kreu i shtetit, shigjetoi dy forcat kryesore politike në vend se kanë monopolizuar pushtetin njëra në qeveri dhe tjetra në opozitë, duke mos i hapur rrugë mundësive të reja. Ai e krahasoi Partinë Demokratike me zisin sovjetik që nuk prodhon shpejtësi, ndërsa tjetra lëviz me 150 km në orë.
“Një makinë lëviz me 150 km në orë për një mijë arsye; kualiteti i makinës, karburantit e shoferi. Më rezulton se duhet t’i japë Diella makinës se ai shoferi nuk di t’i japë makinës. Pjesa tjetër ka një zis sovjetik harxhon shumë karburant dhe nuk prodhon shpejtësi. Ka edhe probleme të natyrës xhenerike. Kjo makina tjetër ka ikur shumë përpara. kjo tjetra duhet të ndërrojë makinën, shoferin dhe të furnizohet me karburant cilësor. Por është një pistë me dy korsi. Mirë këto që kanë këto kushte që konkurrojnë në dy korsi por nuk lejojnë të tjerë që kanë dëshirë të konkurrojnë, nuk lënë edhe makina të reja. Kanë monopolizuar pistën automobiloistike”.
Kur u pyet nëse e ndjen veten që bashkohet PD-së, Bamir Topi me ironi u përgjigj: “Mezi po pres që të gdhijë dita nesër që të shkoj te porta e PD-së”.
Ai shigjetoi PD-në se zgjodhi të mbajë monopolin e opozitës që ditën kur firmosi ndryshimet kushtetuese në 2008-ën. Sipas tij kjo forcë politike duhet të kthejë sytë nga vendimmarrjet e gabuara.
“Çështja ime është e ezauruar. Nëse unë do të isha personi që ka atë rolin e fortë të interlokutorit me mazhorancën, do të kisha parë rrugën dhe vendimmarrjet e forta ku kam gabuar. Nëse ti e di shumë mirë që ke gabuar në momentin e firmosjes së ndryshimeve kushtetuese që kanë deformuar sistemin dhe e kanë bërë të pamundur ritkthimin ti ke pranuar me qejf që të kesh monopolin e opozitës në mënyrë të përhershme. Nëse një pushtet qëndron 12 vjet dhe siç thotë km deri në 2050 si ka mundësi që instalohet një sistem politik pa shpresë qarkullimi”. (A2 Televizion)