Mes kaosit dhe tensioneve në Kuvend, kryeparlamentarja Elisa Spiropali njoftoi edhe zyrtarisht ndërprerjen e mandatit të deputetit për Ervin Salianjin, i cili po vuan dënimin me 1 vit heqje lirie në burgun e Fierit, pasi Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për kallëzim të rremë në dosjen “Babale”.
Teksa ligjvënësit demokratë tentonin të pengonin punimet e Parlamentit, Spiropali sqaroi se për rastin e Salianjit nuk do të mblidhet Këshilli Mandateve për shqyrtim pasi ka vendim të formës së prerë nga gjykata për ta dënuar me 1 vit burg, raporton A2.
Kryetarja e Kuvendit më tej njoftoi vakancën e krijuar dhe tashmë i mbetet KQZ-së që të vijojë procedurat për t’i dhënë mandatit kandidatit pasues në listën e PD për zgjedhjet e vitit 2021 në qarkun e Korçës, shkruan A2.
Pas njoftimit të përfundimit të mandatit nga Spiropali, në llogarinë në Facebook të Ervin Salianjit është publikuar një reagim, ku thuhet: “Sot me vendimin politik të Edi Ramës, socialistët vendosin ta fshijnë emrin tim nga radhët e opozitës në Parlament, duke hequr mandatin e dhënë nga qytetarët e Korçës”.
Salianji shprehet krenar që sipas tij në çdo ditë të ekzistencës politike i ka shërbyer vetëm interesit të qytetarëve. Një mesazh e ka edhe për të majtët, duke shkruar se “edhe nga burgu politik do të vazhdoj të jem tmerri i atyre që mendojnë se me izolimin tim do të më mbyllin gojën”.
“Asgjë nuk më ndal! Beteja politike vazhdon!”, thuhet në fund të reagimit të ish-deputetit. (A2 Televizion)