
Kryetari i Partisë Demokratike në Durrës, Ardian Muka, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Ervin Salianji, i cili prej disa ditësh sipas tij e ka përmendur në studio televizive.
Në një deklaratë publike, Muka u shpreh se nuk kishte ndërmend të reagonte, por sipas tij, ishte detyruar nga sulmet e vazhdueshme. Ai theksoi se i vetmi raport që ka pasur ndonjëherë me ish-kryebashkiakun Vangjush Dako kanë qenë betejat elektorale kundër tij dhe Partisë Socialiste, duke theksuar se ka qenë gjithmonë në opozitë dhe kurrë ortak në interesa apo biznes.
Muka kujtoi garën e tij si kandidat i demokratëve në zgjedhjet e vitit 2022, betejat qytetare për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe veprimtarinë e tij në Këshillin Bashkiak, ku thotë se ka mbrojtur interesat publike pa kompromise.
Ndërsa për Ervin Salianjin, ai renditi një sërë akuzash, duke e cilësuar si negociator të “shitjes së zgjedhjeve lokale të vitit 2015”, organizator të përçarjes së votës demokrate në vitin 2022 dhe person që, sipas tij, pengoi procesin e denoncimit ndaj ish-kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj.
Muka e akuzoi gjithashtu Salianjin se po përpiqet të devijojë vëmendjen e demokratëve nga beteja kundër qeverisë, duke mobilizuar mbështetje jashtë strukturave zyrtare të PD-së në Durrës.
Ai theksoi se nevojat për ndryshime në PD janë reale dhe të domosdoshme, por sipas tij, “kjo kauzë e drejtë nuk mund të përfaqësohet nga njerëzit e gabuar”.
Në fund, Ardian Muka deklaroi se Ervin Salianji do të mbahet mend si “njeriu që goditi demokratët që mendonin ndryshe”. (A2 Televizion)