Fermerët e Cërrikut u ankuan te kryeministri për burokracitë dhe pamundësitë për të regjistruar tokat bujqësore që punojë. Këtë problem Rama ja faturon gjendjes së kadastrës për të cilën bën përgjegjës Sali Berishën e larguar nga pushteti 12 vjet më parë, ndërsa tha që po mendon për një skemë si ajo e maleve për t’u ardhur në ndihmë fermerëve.
“Me tokën sot ne rrimë në ajër, ne jemi të bashkangjitur me pronën që punojmë sot”, u ankua fermeri.
“Rrëmujë totale që ne kemi gjetur në kadastrën e shtetit, tani ka filluar puna për së mbari. Parashikohet të përmbyllet procesi i digjitalizimit deri në 2028. Koncepti toka e punuar, e punoni, keni nipt si fermer, por nuk e keni me hipotekë. Këshilli Bashkiak të marrë përsipër që kjo tokë është një tokë që punohet dhe që kjo tokë i përket filanit”.
Fermerët ja thanë përballë kryeministrit se po merren me bujqësi për shkak se me pensionin që marrin nga shteti nuk ja dalin të jetojnë.
“Punojmë sepse ky pension nuk na del. Minimaliteti i këtij pensioni të sotëm për ne është të mos jetojmë dot nga ana ekonomike”, u shpreh fermeri.
“Ne duam që në Shqipërinë 2030 të synojmë të synojmë pension minimal 200 euro", tha Rama.
Ndërsa në vjeshtën e vitit të shkuar Kryeministri Rama u kërkonte bizneseve që të deklarojnë pagat reale të punonjësve që të mos përballeshin me pasoja penale, sot në fushatë elektorale thjesht u kërkon punëmarrësve që të mos gënjehen nga pronarët e tyre.
“Na ra goja duke ju thënë njerëzve që janë në punë, mos e hani karamelen që në sipërfaqe është e ëmbël dhe në brendësi e hidhur, duke marrë pagën në dorë. Në fakt i bën vetes gropën kur të dalësh në pension”, tha Rama.
Më herët, shoqëruar nga zv/kryeministrja Balluku, kryeministri Rama inspektoi punimet në rrugën Elbasan-Lekaj, pjesë e Korridorit 8. (A2 Televizion)